AAK-PSD: Do të dalim fitues në zgjedhje, nuk nënshkruajmë paktin e Veselit
BKT
Lajme

AAK-PSD: Do të dalim fitues në zgjedhje, nuk nënshkruajmë paktin e Veselit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD) kanë mbajtur sot një takim me kryetarët e degëve të të dyja partive, ku pas këtij takim është thënë se ky koalicion do të dal fitues në zgjedhjet e 6 tetorit.

Pas takimit, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, deklaroi se janë të gatshëm për zgjedhjet dhe se janë koalicioni që do të dal fitues në këto zgjedhje.

Ai bëri të ditur se më 7 shtator do të bëjnë publike ofertën e tyre për qytetarët, ku do të paraqesin vizionin e tyre si dhe kandidatët për deputetë.

"Vërtetë ishte një ndjenjë e mirë me qenë me kolegët tanë, me kryetarët e degëve të dy partive, PSD-së dhe AAK-së, me shtabet zgjedhore dhe me e krijua atë besimin se po jemi të gatshëm për zgjedhje, jemi të gatshëm për përgjegjësitë, të cilat na presin këto ditë, njëkohësisht jemi fitues. Kur po them jemi fitues, iu siguroj që në organizimin tonë, në koalicionin tonë janë fitues, janë njerëz të ngritur, profesionistë, janë atdhedashës, janë ata që e kuptojnë kauzën apo situatën në të cilën ndodhet Kosova, mbrojtjen, jo veç të tërësisë territoriale të Kosovës, por edhe të gjithë atributeve të shtetit tonë, të cilat me shumë sakrificë janë arritur dhe do të dimë të ecim më tutje në detyrat që na presin pas fitores në zgjedhje”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti tha se janë të gatshëm për zgjedhje dhe se beson se do të dalin fitues.

“Tashmë jemi në vlugun e punëve për përgatitjen për zgjedhjet e 6 tetorit. Fryma që është krijuar në degë u vërejt edhe në tubimet që kanë qenë këto ditë, po edhe në takimin sot. Mendoj se jemi plotësisht të përgatitur për këtë sfidë dhe siç e kemi thënë edhe më herët, jemi pretendentët kryesor, ne mendojmë se do të fitojmë, po jemi ndër pretendentët kryesor për t’i fituar zgjedhjet e 6 tetorit. Është një kombinim më të vërtetë që është komplementar, pra atë që sjell edhe Aleanca edhe PSD, nuk janë në konkurrencë në mes vete, pra e komplementojnë njëri tjetrin në degë, në fusha të ndryshme ku kemi punuar. Tashmë jemi bërë gati edhe për tubimin e parë, pra jemi gati me kandidatët, të cilët do t’i dorëzojmë më 6 shtator, i kemi përgatitur të gjitha gjërat, programi është gati dhe tashmë po e themi që po ecim sigurt drejtë fitores”, u shpreh Ahmeti.

I pyetur se në listën e kandidatëve për deputetë a do të përfshihen ata që kanë aktakuza, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se do të respektojnë ligjet e Kosovës.

Sa i përket thirrjes së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që të gjithë liderët e partive të nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit të propozuar nga ai, Haradinaj tha se është e pakuptim që kur ka filluar fushata të dilet me oferta të tilla.

As PSD nuk do ta nënshkruajë këtë pakt kundër korrupsionit të propozuar nga Kadri Veseli i PDK-së. Kreu i PSD-së Shpend Ahmeti, tha se PDK nuk është në kurrfarë pozite që të caktojë standarde për dikë për luftën kundër korrupsionit.

“PSD nuk do ta nënshkruajë kodin që e ka paraqitur PDK, jo pse nuk pajtohemi me përmbajtjen që të nënshkruajmë një kod të tillë, por mendoj se PDK nuk është në kurrfarë pozite me caktua standarde për dikë për korrupsion dhe për luftë. Nëse e kanë me seriozisht, le ta vazhdojnë vet, kanë shumë kohë për me u tregua për krejt dëmet që i janë bërë Kosovës në këtë kohë. Prandaj, ne i përmbahemi kodeve tona, kode të cilat i kemi respektuar edhe në aspektin e pastërtisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në përgjithësi”, tha ai.

Të pyetur se pas zgjedhjeve a do të pranonin ofertën e LDK apo të LVV-së, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti tha se ata do të dalin fitues dhe do të japin ofertat e tyre për të tjerët.

Të pyetur se a kanë bërë sondazhe për të parë se ku qëndrojnë, Haradinaj dhe Ahmeti thanë se qëndrojnë mirë në sondazhe./kp


MË SHUME NGA Lajme