Cakaj: Vlerësime pozitive nga vendet e BE, përmbushëm kushtet
BKT
Shqipëri

Cakaj: Vlerësime pozitive nga vendet e BE, përmbushëm kushtet

“Shqipëria qëndron në avantazh dhe me mundësi serioze për hapjen e negociatave në tetor”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë një interpelance me ekspertë të fushës së integrimit dhe studentë.

Pak kohë nga vendimi i rëndësishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, Cakaj iu përgjigj grupeve të interesit mbi arritjet konkrete në pesë prioritetet kyçe, ngritjen e strukturave shtetërore për procesin screening dhe pritshmëritë për një vendim pozitiv nga KE në tetor.

Duke folur për arritjet dhe sfidat e këtij procesi, Cakaj tha se “konkluzionet e Këshillit të qershorit 2019, bëjnë të qartë se të gjitha vendet anëtare në mënyrë pozitive vlerësojnë raportin e Komisionit në veçanti dhe rekomandimin për hapje të pa kushtëzuar të negociatave me Shqipërinë”.

“Prioritetet kyçe kanë të bëjnë me vazhdimin dhe thellimin e rezultateve në procesin e Vetingut, ngritjen e trupave të reja gjyqësore sipas reformës në drejtësi dhe thellimin e  rezultateve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Artikulli 54 i konkluzioneve të Këshillit thotë se Komisioni Europian duhet të jetë veçanërisht i fokusuar në shqyrtimin nëse këto kushte janë përmbushur nga Shqipëria apo jo. Dhe KE e ka dhënë përgjigjen me vlerësimin e reformës të paprecedent të Shqipërisë në drejtësi”, tha Cakaj.

Edhe lidhur me ngritjen e trupave të reja gjyqësore, sipas tij, “janë krijuar kushtet për vazhdimin më tej drejt krijimit të SPAK dhe Byrosë Zyrtare të Hetimeve”.

Sipas KE-së, tha Cakaj, gjithçka po zhvillohet brenda kornizave kohore të përcaktuara nga reforma në drejtësi.

“KE konstaton se Shqipëria ka arritur në shkallën më të lartë të luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Janë konfiskuar asete kriminale dhe janë goditur celula të krimit”, tha ai.

Cakaj shtoi se “mbi këto rezultate që nuk janë perceptim i qeverisë shqiptare por gjetje objektive të KE-së, Shqipëria ka rastin që mbi meritat e saj të çelë negociatat”.

“Ne kemi një konfirmim paraprak politik të Komisionit. Shqipëria qëndron në avantazh dhe me shpresa për hapjen e negociatave me BE. Ky është një proces që nuk varet vetëm nga ana e Shqipërisë, por edhe e zhvillimeve të tjera në Europë. Ne jemi duke punuar jo vetëm për të hapur negociata, por për të qene në pozicionin e duhur edhe pasi të hapen negociatat. Ne nuk mund të operojmë mbi situata me pikëpyetje, por ne jemi të angazhuar për hapjen e negociatave në tetor. Angazhimi ynë politik do të mundësojë një shndërrim cilësor të vlerësimit teknik pozitiv të KE-së, në një vullnet pozitiv të Këshillit, që Shqipëria atë që ka pasur aspiratë në vite, nga tetori ta shndërroj në realitet”, tha Cakaj.

Cakaj tha se “puna është përqendruar që Shqipëria të siguroj jo vetëm shkallën më të lartë të ekspertizës, por edhe të mos përsërisë disa prej gabimeve të vendeve të tjera”.

“Struktura negociatore ka dy shtylla, njëra ka të bëjë me anën operacionale dhe mbikëqyrëse për përmbushjen e kushteve specifike dhe në anën tjetër shtylla operative apo funksionale që bën kryerjen konkrete të detyrave teknike gjatë këtij procesi”, tha ai.

Cakaj foli edhe për rolin që do të marrin institucionet dhe strukturat e ndryshme të administratës, pas çeljes së negociatave, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në këtë proces.

Ai tha se “kapacitetet e Shqipërisë deri tani janë përqendruar në procesin e screening, duke u përshtatur gjatë procesit”. “Jemi besimplotë dhe nuk kemi asnjë dyshim se Shqipëria gëzon të gjitha kapacitetet e nevojshme për çeljen e negociatave. Në rastin kur të hapen negociatat, Shqipëria do të jetë në pozicionin që nuk ka humbur kohë dhe ka kryer pjesën teknike. Kjo do të jetë dëshmi shtesë që Shqipëria gëzon kapacitetin institucional dhe organizativ për të zhvilluar një proces efektiv të negociimit”, shtoi ai, shkruan agjencia e lajmeve ATA.

Screening, sipas Cakajt, “është një proces tepër i ndërlikuar, por mund të interpretohet si një proces i shqyrtimit sistematik të legjislacionit të BE-së dhe përafrimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së”.


MË SHUME NGA Shqipëri