Italia e Mancinit “fluturon” drejt Evropianit, mund Armenin
BKT
Sport

Italia e Mancinit “fluturon” drejt Evropianit, mund Armenin

Italia vuan por në fund fiton pastër në Armeni dhe regjistron suksesin e 5-të në eliminatoret e kampionatit europian të vitit 2020.

Me këtë fitore të kaltrit afrohen gjithnjë e më shumë me kualifikimin në Euro 2020. Sfida në Yerevan nisi në malore për skuadrën e Roberto Mancinit, sepse pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën 11-të Karpetian i dha avantazhin armenëve.

Megjithatë reagimi i Italisë ishte i menjëhershëm dhe pas disa përpjekjesh të njëpasnjëshme të kaltrit gjetën golin e barazimit me Belottin pas asistit të Emerson në minutën e 28-të. Në fundin e pjesës së parë armenët ja lehtësuan misionin për të marrë tre pikët Italisë në këtë transfertë pasi Karpetian mori kartonin e dytë të verdhë.

Golat që i dhanë tre pikët Italisë megjithatë u realizuan shumë vonë nga Lorenzo Pellegrini i ardhur në fushë nga stoli në minutën e 77-të dhe Belotti pak minuta më vonë me këtë të fundit që kishte rreth 1 vit e gjysmë që nuk realizonte për Italinë përpara kësaj ndeshje.

Ky sukses e ngjiti skuadrën e Mancinit në kuotën e 15 pikëve dhe e mban në krye të grupit J ndërkohë që Armenia mbeti në kuotën e 6 të tillave.