FIBA e fton FBK-në për organizimin e një evropiani në Prishtinë
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) e ka njoftuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), që edhe në verën e ardhshme, do të jetë pjesëmarrëse me gjashtë përfaqësuese të reja në garat evropiane.
Pesë përfaqësuese do të jenë në Divizionin B dhe një në atë C. Kosova U20 dhe U18 te meshkujt do të garojnë në Divizionin B, si dhe U20, U18, U16 te femrat, derisa në Divizionin C do të garojë Kosova U16 meshkujt.
FIBA gjithashtu e ka ftuar FBK-në që të aplikojë për organizimin e një evropiani. Për të gjitha këto pritet që shumë shpejt të vendosë Bordi i FBK-së, se me cilat përfaqësuese do të garojë, dhe se a do të kandidojë për organizimin e kampionatit tjetër në Prishtinë.
Ndryshe, vitin e kaluar në Kosovë ishte organizuar Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj U18, ku kishte triumfuar Kosova, derisa në muajin gusht të këtij viti u organizua Kampionati Evropian, Divizioni B, për femra U20.Kosova mori nota shumë të mira për këto organizime, duke marrë mirënjohje edhe nga FIBA.























