Limaj: Oferta e Nismës është më e mira për qytetarët
Kandidati për Kryeministër, Fatmir Limaj, ka thënë se edhe Ferizaj ka vendosur të bëhet bashkë për shtetin.
Përmes një statusi në Facebook, Limaj tha se tubimi i mbrëmshëm me struktura dhe përkrahës të Nismës forcoi bindjen se Nisma dhe koalicioni i tyre do të korrin rezultate të mëdha në zgjedhjet e 6 tetorit
“Edhe qyteti i kulturës dhe i lëvizjeve të mëdha kombëtare, Ferizaj, ka vendosur të bëhet Bashkë për Shtetin.
Tubimi i mbrëmshëm me struktura dhe përkrahës të Nismës ma forcoi bindjen se Nisma dhe koalicioni ynë do të korrin rezultate të mëdha në zgjedhjet e 6 tetorit.
Kosova para vetes i ka pesë oferta për qeverisje dhe jam i bindur që oferta e Nismës dhe koalicionit tonë është më e mira dhe më e duhura për qytetarët tanë.
Nisma dhe unë e duam votën e zemrës dhe besimit, ne nuk e duam votën e pazareve dhe mashtrimit.
Prandaj qytetarët e Ferizajt e kanë rastin ideal t’i mbështesin kandidatët për deputetë të Nismës nga kjo komunë të cilët janë garanca më e mirë se do t’i mbrojnë denjësisht interesat e tyre.
Ftesa ime për të gjithë është që të kthehemi në aktivistë dhe t’i shpalosim në çdo cep të vendit vlerat dhe programin tonë socialdemokrat”, ka shkruar Limaj.























