Kurti nuk do ta heqë flamurin e Kosovës nga zyra
BKT
Lajme

Kurti nuk do ta heqë flamurin e Kosovës nga zyra

RTKlive

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti , tha se rinia është e gatshme për ndryshime.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, në Kongresin e Dytë Kombëtar të të Rinjve ka thënë se ‘Rinia është motor i përparimit’.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka skemën e punësimit të garantuar në programin e tyre,  prej moshës 16-18 vjeç.

Kandidati për kryeministër tha se përderisa të rinjtë e moshës 16 vjeçare mund të punojnë në kafiteri, ata do të duhej të kishin edhe të drejt vote. 

“Në shtetin tonë të shpallur të pavarur më shumë se 11 vite, rinia është neglizhuar, po ashtu edhe gratë dhe unë besoj që kjo është bërë në të njëjtën mënyrë. Është bërë me mekanizma e forume të cilat kanë pasur për synim përfshirjen e rinisë pa pjesëmarrjen e rinisë. Njësoj përfshirjen e grave pa pjesëmarrjen e grave, pra një lloj integrimi prej poshtë, me kusht që mbetesh poshtë. Dhe unë besoj që kjo qasje është problemi kryesor. Ne angazhohemi për pjesëmarrje, e cila është edhe përfshirje, por jo për përfshirje pa pjesëmarrje”, tha tha Kurti në debatin e parë politik të Kongresit Kombëtar të të Rinjve.

Kurti foli edhe për planet  që kanë për sistemin arsimor. Sipas tij, LVV do të freskojë shkollën e mesme, ku nëpërmjet studentëve më të mirë të Universiteteve, sapo të diplomojnë të bëhen profesorë në shkollat e mesme.

I pyetur nga të rinjtë për fondet që do të ndajnë për laboratorët në shkolla, ai tha se do të kenë grantin e katërt për komuna, me vlerë prej 600 milionë eurove.  Kurti tha se injoranca kushton më shumë se arsimi.

"Do ta kemi grantin e katërt për komunat, i cili gjithsej do të jetë 600 milionë euro për mandat, do të thotë nga 150 milionë euro për komunat, me ç’rast ideja jonë është investimet kapitale t’i jipen komunave, që ato t’i shpenzojnë vetë në bazë të prioriteteve. Pra ne duamë që kryetarët të kenë arsimin në epiqendër. Dhe për këtë gjë përveç granteve ekzistuese duhet edhe të shtojmë edhe grantin e katërt....Unë kam bindje që injoranca kushton më shumë se arsimi, paraja e cila jepet arsimin shpaguhet, ndoshta jo menjëherë, por injoranca kushton shumë më tepër, padituria kushton shumë më tepër”, tha Kurti mes tjerash.

Duke folur për simbolet shtetërore, Kurti tha se në rast se merr postin e kryeministrit, nuk  do ta heqë flamurin e Kosovës nga zyra, duke rikujtuar se njëjtë ka vepruar edhe si kryetar i komisionit për Punë të Jashtme.

“Pika jonë më e fortë është që ata e kanë valëvitur flamurin e Kosovës deri tash, e që ta kanë vjedhur ardhmërinë edhe ty edhe mu, të shkojnë”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, mbi 10 herë është ndarë buxhet më shumë për asfalt se sa për universitete. Kurti ka premtuar se puna vullnetare do të llogaritet si përvojë pune. 


MË SHUME NGA Lajme