Durrës, shpërndahen ndihma ushqimore për familjet e prekura nga tërmeti
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte sot në Durrës pranë disa familjeve të prekura nga tërmeti i fundjavës që shkoi.
Së bashku me përfaqësues të bizneseve të ndryshme dhe kryebashkiaken Valbona Sako, ata shpërndanë ndihma ushqimore, fruta dhee perime, si dhe produkte të tjera të domosdoshme.
Shumë familje, të cilave ju prishën banesat, janë strehuar përkohësisht në ambientet e Konvaleshencës.
“Gjej rastin të falenderoj të gjithë operatorët e biznesit ushqimor që u treguan të gatshëm në këtë situatë për të ndihmuar rreth 150 persona që janë strehuar këtu. Sot kemi sjellë rreth tre furgonë me mallra të ndryshme. Kjo ndihmë është një shprehje shumë e bukur e solidaritetit njerëzor që nuk ka munguar as kësaj radhe. Tërmetet janë emergjenca që lindin aty për aty dhe nuk i parashikojmë dot. Ne kemi detyrë të përgjigjemi menjëherë”, tha ai.
Më pas, ministri dhe kryebashkiakja drekuan së bashku me banorët.
Një ditë më parë, ministri Çuçi ishte në Shkozet për të parë nga afër dëmtimet nga tërmeti që kishin pësuar disa banesa të zonës, shkruan Top Channel.
Në këtë fazë të parë të gjitha strukturat e emergjencave janë mobilizuar për të strehuar banorët dhe për t’ju siguruar gjithë ndihmën e domosdoshme.
Në ndërkohë, në terren po vijon puna bashkë me pushtetin lokal në vlerësimin dhe përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara në banesa.























