Kaso: Opozita mbështet realizimin e një reforme të vërtetë zgjedhore
BKT
Shqipëri

Kaso: Opozita mbështet realizimin e një reforme të vërtetë zgjedhore

Përfaqësuesi i opozitës në tryezën e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore, Ivi Kaso është shprehur se opozita e bashkuar mbështet realizimin e një reforme të vërtetë zgjedhore.

Sekretari demokrat për çështjet zgjedhore shtoi se reforma duhet të realizohet nga institucione që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

"Opozita e bashkuar mbështet një reformë të vërtetë zgjedhore. Angazhohet për të diskutuar një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre. Personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi. Për këtë arsye reforma e vërtetë zgjedhore mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Kaso.

Kaso u shpreh se opozita nuk e njeh legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar si një organ që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

“Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”, tha Kaso, transmeton oranews.

Opozita e bashkuar propozoi ngritjen e një grupi të posaçëm për reformën në përbërje të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë.


MË SHUME NGA Shqipëri