BE ofron ndihmë emergjente pas tërmetit dhe përmbytjeve në Shqipëri
Pas dy tërmeteve të forta që goditën Shqipërinë dhe përmbytjeve që pasuan, autoritetet shqiptare aktivizuan Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, sipas një deklarate të Komisionit Evropian.
Me një përgjigje të menjëhershme, Bashkimi Europian ka ndihmuar në mobilizimin e furnizimeve të ndihmës së shpejtë, siç janë tendat, gjeneratorët e energjisë dhe pompat e ujit në zonat e prekura.
“Bashkimi Evropian solidarizohet me Shqipërinë në këtë kohë të vështirë dhe mbështetja thelbësore e BE-së tashmë është në rrugën e saj”, deklaroi komisioneri për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides.
”Falënderoj sinqerisht Austrinë, Kroacinë, Hungarinë, Slloveninë dhe Norvegjinë për ofertat e tyre të ndihmës përmes mekanizmit tonë të mbrojtjes civile. Mendimet tona janë me të gjithë ata gjenden në zonat e prekura dhe me ndihmat e shpejta që punojnë në terren. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të mëtejshme”, theksoi ai.
Qendra e Koordinimit për Reagimin e Emergjencave të Bashkimit Evropian 24/7 është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për të monitoruar nga afër situatën dhe për të kanalizuar ndihmën e mëtejshme të BE-së sipas kërkesës.
Qendra gjithashtu do të shpërndajë një grup të BE për mbrojtjen civile të përbërë nga shumë ekspertë për të lehtësuar koordinimin e ndihmës.























