Shqipëria vendi i parë joanëtar i BE-së me rrjetin “TESTA”,
BKT
Shqipëri

Shqipëria vendi i parë joanëtar i BE-së me rrjetin “TESTA”,

Shqipëria ka marrë së fundmi miratimin politik të Komisionit Europian për të aksesuar rrjetin e enkriptuar të komunikimit – TESTA. Ky rrjet që shërben si “Autostradë Dixhitale” që lidh Shqipërinë me çdo vend anëtar të Bashkimit Evropian.

“Autostrada Dixhitale” do të mundësojë shkëmbimin e sigurt të të dhënave mes institucioneve shqiptare dhe BE. Ky proces është avancim në drejtim të proceseve integruese.

Ministria e Brendshme organizoi këtë të enjte tryezën kombëtare për diskutimin dhe implementimin e sistemit TESTA, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian.

Otavio Bottechia, përfaqësues i Komisionit Evropian, tha sot se “Shqipëria është vendi i parë në rajon që ecën në këtë drejtim, që përdoret vetëm nga vendet anëtare të BE-së dhe mijëra krime zgjidhen dhe parandalohen përmes këtij shkëmbimi në kohë reale të informacionit”, – theksoi Bottechia.

Zv/ministri i Brendshëm, Besfor Lamallari, i cili drejtoi tryezën Kombëtare theksoi se thelbi i tryezës është përcaktimi i autoritetit që do të mbajë peshën e pikës hyrëse të informacionit. “Megjithëse vend joanëtar i Bashkimit Evropian, Shqipëria ka marrë së fundmi miratimin politik të Komisionit Europian për të aksesuar rrjetin e enkriptuar të komunikimit – TESTA”, – tha Lamallari.

“Sot, pas dy vitesh negociata, vendi ynë ka nënshkruar dhe ratifikuar me ligj marrëveshjen për shkëmbimin automatik të të dhënave të ADN-së, regjistrimit të automjeteve dhe gjurmëve të gishtave mes 12 shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, – shtoi zv/ministri.

Ai tha se “padyshim, që ky është tregues i qartë i vullnetit të qeverisë shqiptare për të vijuar me forcimin e zbatimit të ligjit krahas reformave madhore të ndërmarra, të cilat nuk kanë kthim pas. Shkëmbimi i këtyre të dhënave për qëllime të hetimit penal do të kryhet në mënyrë të sigurt përmes rrjetit TESTA”.

“E megjithatë, përfitues të shërbimeve të këtij rrjeti, nuk do të jenë vetëm Policia e Shtetit apo Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor. Në Bashkimin Evropian nëpërmjet këtij rrjeti, shkëmbehen të dhënat mes Njësive të Inteligjencës Financiare, Emergjencave Civile, të dhënat e Rekordeve Penale, të dhënat e sigurimeve shoqërore, të dhënat bankare dhe shumë përdorime të tjera”, – tha Lamallari.

“Vlen të përmendim, se për herë të parë, progres raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë i vitit 2019, vuri në dukje rëndësinë e hyrjes në këtë rrjet edhe si nevojë e pjesëmarrjes në Sistemin Evropian të Mbrojtjes Civile. Thënë shkoqur dhe shqip, ky rrjet shërben si “URA TEKNOLOGJIKE” apo “Autostrada Dixhitale” që lidhin Shqipërinë me çdo vend anëtar të Bashkimit Europian”, – tha zv/ministri Lamallari.

Pjesëmarrës në aktivitet ishin edhe titullarë dhe drejtues të institucioneve si, Parandalimi i Pastrimit të Parave, SHISH, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, DPSHTRR, Tatime, Dogana, etj..

“Titullarë dhe drejtues të institucioneve si parandalimi i pastrimit të parave, SHISH, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, DPSHTRR, Tatime, Dogana, Akshi, Polici… etj., interesi dhe prania Juaj sot, flet vetë për angazhimin për të avancuar në rrugëtimin europian, të përkushtuar ndaj përmbushjes së kritereve të kapitujve 23 dhe 24, por jo vetëm! Sot është shumë e rëndësishme përcaktimi në mënyrë të përbashkët, në këtë sesion të autoritetit përgjegjës, pikës hyrëse kombëtare për rrjetin TESTA. Që prej majit 2019, ky është dhe një rekomandim i Progres raportit të Komisionit Evropian, për vendin tonë. Shpërndarja e rrjetit në institucionet e tjera do të varet nga infrastruktura ekzistuese, shtrirja më e mirë apo veçori të tjera të Pikës Hyrëse”, – përfundoi zv/ministri Lamallari.

Gjatë tryezës së organizuar nga Ministria e Brendshme, merrnin pjesë edhe përfaqësuesi nga zyra e Kryeministrit, Maksim Malaj, zv/drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, si dhe titullarë institucioneve të tjera që preken nga rrjeti TESTA.

Gjatë seksionit të diskutimeve, drejtuesit e institucioneve të interesuara, ngritën shqetësimin mbi sigurinë në sistemin e përcjelljes së informacionit, ndërsa përfaqësuesit e Komisionit Evropian në tryezë, Aldo Grech dhe Ottavo Bottechia garantuan se ky rrjet është tejet i sigurt dhe gjatë shkëmbimit të informacionit lidhja është direkte dhe nuk ka interferencë. Ata nënvizuan se ka shumë rëndësi përcaktimi i autoritetit që do shërbejë si njësi hyrëse, pasi përmes kësaj krijohet i gjithë sistemi. Ato paraqitën dhe shembullin gjerman të përdorimit të sistemit Testa, ku paralelisht ekzistonte mundësia për të pasur dy kanale komunikimi për të rritur më tej efikasitetin e komunikimit për çdo eventualitet.


MË SHUME NGA Shqipëri