Nga Juve te Barcelona e Bayerni, bie “diktatura” e ekipeve kampione
Juventusi këtë sezon ka humbur kryesimin, pasi prej disa javësh mban vendin e dytë, me dy pikë më pak se Interi.
Skuadra bardhezi është ndalur vetëm në transfertën ndaj Fiorentinës 0-0, ndërkohë që thuajse në të gjitha kampionatet kryesore europiane, skuadrat kampione po hasin probleme në këtë fillim sezoni.
Sezoni sapo ka nisur, por aroma e një revolucioni duket se ka nisur …
Në Premier League nuk është për tu habitur që të shohësh Liverpoolin në krye të renditjes, ndërkohë që Manchester City nuk ka mundur ta nis në mënyrë perfekte. Barazimi me Tottenham dhe mbi të gjitha humbja kundër Norëich, ka bërë që “qytetarët” të mbajnë vendin e dytë me 5 pikë më pak.
Edhe në Gjermani ka një dominues prej vitesh, që quhet Bayern Munich, por sezonin e fundit ata rrezikuan që ta humbisnin, duke bërë që të renditen vetëm në vendin e dytë. Këtë sezon Borussia e Dortmundit duket një rival edhe më i vështirë, ndërkohë që Leipzig i Julian Nagelsmann, po bën një kampionat shumë të mirë, duke kryesuar me 13 pikë, dy më shumë se ekipi i Niko Kovac. Fakti që ndeshja direkte u mbyllë në barazim, konfirmoi edhe njëherë vështirësitë që do të hasin bavarezët këtë sezon.
Pa Lionel Messin në javët e para, Barcelona e ka nisur sezonin në një mënyrë të çuditshme. Fiton ndeshjet në shtëpi dhe i humbet ato në transfertë duke grumbulluar vetëm 10 pikë në 5 javë, 4 më pak se skuadra e Zidane që për momentin mban kryesimin. Madje para skuadrës së Valverdes gjenden edhe Atletico Madrid, Athletic Bilbao dhe surpriza Granada, ekip që i mundi katalanasit disa ditë më parë në një mënyrë surprizë me rezultatin 2-0.
Revolucioni i futbollit evropian nuk kishte si të mos vijonte edhe në Francës. PSG po has vështirësi në fillim të këtij sezoni, duke humbur plotë 2 ndeshje në 7 javët e para, duke bërë që të ndajnë vendin e parë me ekipin e Angers. Neymar me shokë duhet të fillojnë t’i marrin seriozisht ndeshjet e kampionatit, pasi Lille apo edhe Lyon nuk duhen marrë aspak me qetësi kur bëhet fjalë për titullin.
Në Portugali kryesimin nuk e ka Benfica, por ata mund të marrin frymë lehtësisht. Pasi para tyre nuk janë as Sportingu dhe as Porto, por Famalicao, e pamundur deri më tani me 16 pikë. Benfica po paguan humbjen ndaj skuadra së Portos, ndërkohë që në sezonin e gjatë, do të ketë padyshim surpriza. /KJ/























