Mulhaxha-Kollçaku: Do të fokusohemi edhe në parandalim të sëmundjeve
Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nga lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në rast se ky subjekt merr pushtetin, atëherë do të ketë angazhim për parandalim të sëmundjeve.
Ajo ka folur të enjten në “Debat” te RTK, ku temë ka qenë Shëndetësia.
“Do të fokusohemi edhe në parandalim të sëmundjeve”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Lista e barnave esenciale është shndërruar në instrument elektoral.
“Çdo gjë që u punua deri tash i ngjan improvizimit”, ka thënë ajo.
Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se një popullatë e shëndoshë është parakusht për stabilitet dhe për zhvillim ekonomik. “Do të kemi një shëndetësi me pacientin në qendër”, ka thënë ajo.
Sipas saj, është vërejtur se 70 për qind e fëmijëve në shkollë qysh tani kanë probleme me të pamurit.
“Kanë probleme me çanta të rënda. Do të thotë do të përkujdesemi për shëndetin e fëmijëve”, ka theksuar ajo.
Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se me subjektin e saj në pushtet buxheti për shëndetësinë rritet.























