Kundërshtohet kriteri për gjuhët e huaja për pranim në UP
Ardiana Hajzeri, Radio Kosova
Organizata “Paqja Studentore” e Universitetit të Prishtinës ka kundërshtuar kriterin për gjuhët e huaja që kushtëzon studentët me 20 pikë për vazhdimin e studimeve në programin e nivelit master dhe doktoratë.
Kjo organizatë e konsideron këtë kriter në kundërshtim me statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e UP-së thonë se ky kriter rrjedh nga udhëzimi administrativ.
Pas shpalljes se konkursit për pranimin e studentëve për studimet master dhe doktoratë, ka reaguar organizata “Paqja Studentore”, duke kundërshtuar kriterin për gjuhët e huaja, që kushtëzon studentët me 20 pikë për vazhdimin e studimeve në programin e nivelit master dhe doktoratë. Ky kriter, sipas “Paqes Studentore”, është në kundërshtim me statutit e Universitetit të Prishtinës. Kryetari i “Paqes Studentore”, Erzen Hyseni, tha për Radio Kosovën se është e padrejtë vendosja e këtij kriteri dhe informimi i studentëve nuk është bërë në kohën e duhur.
“Informimi është bërë me vonesë, nuk është bërë në kohën e duhur. Informimin është bërë tani pasi kanë filluar aplikimet, në fillim në aplikacion është thënë se studentët duhet të kenë vetëm diplomën A2, ndërsa tani po informohen studentët që duhet ta kenë edhe provimin e Toefl për të arritur këto pikë", tha ai.
Ndërsa, prorektori në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi, i tha Radio Kosovës se e gjithë kjo ka ardhur pas një udhëzimi administrativ që është nxjerrë vitin e kaluar nga Zyra e Kryeministrit për gjuhët e huaja.
“ E gjithë kjo buron prej një udhëzimi administrativ që e ka nxjerrë vitin e kaluar Zyra e Kryeministrit. Kjo ka të bëjë për implementimin e kritereve të caktuara për gjuhët e huaja në kuadër të kuadrit evropian për gjuhët e huaja", tha ai.
Para këtij vendimi, studentët e disa drejtimeve janë testuar për gjuhë angleze duke pasur pyetje në provim pranues nga kjo gjuhë, por asnjëherë nuk janë kushtëzuar me certifikatë.
Për të plotësuar këtë kriter duhet që studentët të pajisen me certifikata të testeve ndërkombëtare të nivelit A2 për master dhe B1 për doktoratë, të cilat në Kosovë mund të merren vetëm nga dy institucione. Si pasojë e këtij kriteri, që rrjedh nga udhëzimi administrativ i lëshuar nga Qeveria e Kosovës, ata që pësojnë janë studentët dhe xhepi i familjeve të tyre, sepse për të paguar një test ndërkombëtar duhet deri në 160 euro. Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës kërkon largimin e këtij kriteri, në të kundërtën thotë se do të organizohen protesta.























