Balla: Reforma në Drejtësi, kryesore në rrugën tonë drejt BE
Reforma në Drejtësi në Shqipëri është kryesore në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, ka deklaruar sot Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Balla është shprehur sot mirënjohës për angazhimin e Sekretarit të Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, Christian Lange, në zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
“Mirënjohës për Christian Lange, për angazhimin e tij personal në zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, reformën tonë kryesore në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar Balla.
Christian Lange është një mik i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prej 20 vitesh është deputet i SPD, Grupi Parlamentar i së cilës është shprehur gjithmonë i hapur në favor të një vendimi pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Bundestagu gjerman votoi mbrëmë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke miratuar me 395 vota pro dokumentin që i hap rrugën votës pro të Gjermanisë në Këshillin Evropian në 18 tetor.























