Shuker këshillon Dardanët: Qëndroni me këmbë në tokë, suksesi nuk mungon!
BKT
Sport

Shuker këshillon Dardanët: Qëndroni me këmbë në tokë, suksesi nuk mungon!

Legjenda e futbollit kroate, Davor Shuker, i cili aktualisht është president i Federatës së Futbollit të Kroacisë, ka qëndruar dje në Prishtinë, ku është shpërblyer me çmimin ‘Fadil Vokrri i Artë’.

Ai pas këtij manifestimi ka treguar se hoqi dorë nga udhëtimi në Mançester për ta nderuar me praninë e tij në Prishtinë mikun e tij tashmë të ndjerë Fadil Vokrri. “Kisha dy opsione; për të marrë rrugë drejt Mançesterit, ku Dinamo luante ndeshjen me Cityn në Ligën e Kampionëve dhe për të marrë rrugë për Prishtinë për të nderuar mikun tim, Fadil Vokrri. Unë e zgjodha opsionin e dytë, sepse nuk mund të mungoja në një manifestim të tillë kushtuar mikut tim. Kam pasur shoqëri të ngushtë me familjen Vokrri dhe sot e asaj dite kur mbahen kongreset e UEFA-s apo FIFA-s shikoj nëse diku do të shfaqet Fadili dhe do të ulet tek tavolina jonë. Falënderoj federatën dhe organizatorët e këtij manifestimi dhe të gjithë të tjerët për respektin e treguar dhe për çmimin e dhënë. Një përshëndetje të veçantë kam për presidentin Agim Ademi. E di që ai po bën punë të mirë dhe përkraheni atë sepse është shumë e rëndësishme që të keni suksese. Bëni ç’është e mundur që të keni lojtarë sa më të mirë dhe të arrini suksese sa më të mëdha sepse këtë e meriton Fadil Vokrri, i cili sigurisht se na vëzhgon nga lart”, ka thënë Shuker.

Duke folur për sukseset dhe mundësitë se ku mund të arrijë Kombëtarja e Kosovës, Shuker ka dhënë edhe këshilla. “Jam i mahnitur me paraqitjet e ekipit tuaj, por ju duhet të qëndroni me këmbë në tokë, të luani me qetësi dhe të mos bëni shumë zhurmë, sepse derisa të tjerët mendojnë që Kosova është vend i vogël dhe nuk ju njohin shumë si rival do të keni gjasa më të mëdha për sukses. Nëse do të mund të shtypja një sustë, atëherë menjëherë do ta shtypja që Kosova të jetë pjesë e Evropianit dhe e Botërorit, por do t’ju këshilloja që sa më shumë të investoni në fëmijë prej 10 deri në 21 vjeç. 95 përqind të lojtarëve tanë që kanë luajtur në finalen e Botërorit në Rusi kanë kaluar nëpër të gjitha ekipet kombëtare të grupmoshave. Nuk ka opsion tjetër, përveç punës me fëmijë dhe përkushtimit 24 orë në futboll. Nuk është i rëndësishëm vetëm trajneri i Kombëtares A, por edhe të gjithë trajnerët e grupmoshave sepse kemi të bëjmë me projekt 10-vjeçar për sukses. Federata jonë ka 200 ndeshje në vit, këtu numëroj edhe futbollin e femrave edhe futsallin dhe të grupmoshave, prandaj është e rëndësishme që Kombëtarja A duhet të ketë mundësi përzgjedhjeje. Në fund, duhet ta dini se janë vetëm 10 ndeshje që i kthejnë paratë, derisa 190 ndeshje janë vetëm harxhime, por pa këto investime nuk mund të ketë Kombëtare A të suksesshme”, ka nënvizuar Shuker.

Sa i përket asaj nëse do të ballafaqoheshin në këtë moment Kroacia dhe Kosova, a do të mund ta paramendonte një fitore tjetër 6:0, legjenda kroate është shprehur: "Nuk luan rol kush është më i miri në renditje. Ne e mposhtëm Sllovakinë, por luajtëm baras me Azerbajxhanin. Ky është futbolli dhe për këtë arsye është sporti më i mirë në botë”.

Ai ka premtuar se herën tjetër do të vijë të qëndrojë më gjatë në Kosovë. “I kam premtuar edhe familjes Vokrri se herën tjetër do të vij të qëndroj më gjatë dhe të shikoj ndonjë ndeshje për ta ndjerë atmosferën e zjarrtë këtu, Kundër Malit të Zi do të jetë një ndeshje vërtet e madhe dhe unë iu dëshiroj shumë fat dhe dëshiroj të kualifikoheni në Evropian", ka shtuar Shuker.

Në pyetjen nëse do të ishte më mirë sikur Kosova të barazonte me Çekinë dhe në fund të fitonte ndaj Anglisë apo të fitojë në Çeki e të humb në shtëpi ndaj Anglisë, Shuker është përgjigjur: “Më së miri do të ishte sikur të ekzistonte ajo susta për ta shtypur dhe për të shkuar direkt në Evropian. Sidoqoftë, ka pak rëndësi se kënd e mposhtni e kush ju mposht, rëndësi ka që t’i arrini pikët për vendin e dytë dhe të kualifikoheni”, ka përfunduar Shuker.