​PDK paraqet parregullsitë që kanë hasur në procesin zgjedhor
BKT
Lajme

​PDK paraqet parregullsitë që kanë hasur në procesin zgjedhor

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se me gjithë nisjen e mbarë të procesit zgjedhor mbesin shqetësuese përpjekjet e militantëve partiakë për të dëmtuar këtë proces.

Ai ka përmendur një rast në Prizren për blerje të votës nga një militant i Lëvizjes Vetëvendosje, që sipas tij personi në fjalë është shoqëruar në stacion policor. Gjithashtu, Tahiri tha se edhe në Mitrovicë shtabi ka identifikuar zyrtarë të LDK-së duke bërë u bërë presion qytetarëve.

Para gazetarëve, Tahiri ka paraqitur të gjeturat e deritanishme në procesin e sotëm zgjedhor, ndërkohë ka ftuar qytetarët që të dalin të votojnë duke vendosur për fatin e tyre në katër vjetët e ardhshëm.

"Përkundër nisjes së mbarë të procesit të sotëm zgjedhor, shqetësuese mbeten përpjekjet e militantëve partiak për ta deformuar vullnetin e qytetarëve, duke dëmtuar procesin zgjedhor. Shtabet tona lokale i kanë raportuar disa prej këtyre parregullsive. Në Prizren, kemi denoncuar blerjen e votave nga militantë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky rast është raportuar edhe në polici dhe ka ndodhur rreth orës 10:00 në Qendrën e Votimit 2003a, në ambientet e shkollës “Abdyl Frashëri”, ku është zënë në flagrancë një aktivist i Vetëvendosjes. Ky person është shoqëruar edhe në stacionin policor", ka thënë ai.

Tahiri tha se raste të tilla ka pasur edhe në shkollën "Migjeni" në Mitrovicë, ku një aktivist i Vetëvendosjes ka qëndruar në afërsi të vendvotimit, sipas tij, duke ndikuar te qytetarët dhe duke i joshur ata për shitje të votës.

"Ndërsa, besoj e keni parë të gjithë, sepse ishte përmes mediave, sesi është filmuar kryetari i Vetëvendosjes në Pozharan të Vitisë, duke blerë vota. Këto janë shkelje të rënda. Dhe, gjithashtu, përveç Vetëvendosjes, në Zhabar të Mitrovicës, janë parë edhe zyrtarë të LDK -së duke bërë presion te qytetarët dhe duke u përpjekur të deformojnë vullnetin e tyre”, tha ai.

Tahiri u ka bërë thirrje të gjithë komisionarëve të mos bien pre e provokimeve dhe ta ruajnë qetësinë, duke mbledhur fakte për ta raportuar çdo shkelje ligjore.

Gjithashtu, ai u ka bërë thirrje edhe vëzhguesve të huaj dhe vendorë që të tregohen më të vëmendshëm në identifikimin dhe evidentimin e çdo parregullsie


MË SHUME NGA Lajme