Pas certifikimit të zgjedhjeve fillojnë procedurat për formimin e qeverisë
Majlinda Doda, Radio Kosova
Njohës të çështjeve kushtetuese theksojnë se pas certifikimit të rezultateve, partia fituese, do të duhej që brenda 15 ditësh, t’ia paraqesë Kuvendit, kabinetin qeveritar për votim. Pas dështimit të përpjekejs së parë, atëherë jepet afat edhe 10 ditë të tjera shtesë që subjekti fitues ta paraqesë kaninetin qeveritar për votim para deputetëve.
Pas certifikimit përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve, dhe pas konstituimit të Kuvendit, duhet të fillojnë procedurat për formimin e qeverisë. Kështu thotë për Radio Kosovën njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, sipas të cilit, partia fituese do të duhej që brenda 15 ditësh, t’ia paraqesë Kuvendit kabinetin qeveritar për votim.
“Partia fituese apo koalicioni fitues, do të duhej që në afat prej 15 ditësh të formojë një kabinet, të krijojë një propozim që t’ia dërgojë presidentit dhe pastaj presidenti është i autorizuar që ta mandatojë atë qeveri. Nëse ndodh që brenda 15 ditësh të mos bëhet formimi i kabinetit, atëherë jepet afati edhe 10 ditë të tjera shtesë.”
Edhe njohësi i çështje politike, Ramush Tahiri, thotë për Radio Kosovën se nëse pas afatit shtesë të 10 ditëve, mandatari nuk i fiton votat në Kuvend, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që mbahen jo më larg se 40 ditë. Por, Tahiri thotë se asnjë partie politike, nuk i konvenon që të ketë sërish zgjedhje të reja në vend.
“Forcat politike dhe karakteri i tyre veç dihen dhe nuk ka arsye të shkohet në zgjedhje të reja. Në zgjedhje të reja mund të shkohet vetëm nëse partnerët e koalicionit VV e LDK nuk merren vesh, atëherë e çojnë vendin në zgjedhje, nëse nuk ka një marrëveshje qeveri teknike apo siç po e quajnë të shpëtimit, për t’i kaluar disa reforma, atëherë vendi shkon në zgjedhje nëse këto dyja nuk pajtohen dhe akuzojnë njëra-tjetrin, duke lënë fajtore, Ajo parti që konsiderohet pse nuk është arritur koalicioni, natyrisht që penalizohet, ndërsa partia tjetër rritet në zgjedhjet e ardhshme.”
Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës, e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Presidenti i Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit.























