Qeveria të shkojë në dialog të drejtpërdrejtë me Serbinë pa humbur kohë
Bardha Shkreli, Radio Kosova
Qeveria e ardhshme duhet të shkojë në dialog të drejtpërdrejtë me Serbinë pa humbur kohë, që dialogu fillimisht të zhvillohet me serbët e Kosovës. Kështu thonë analistët politikë, derisa për ta është mjaft e rëndësishme që dialogu të formatizohet.
Lëvizja Vetëvendosje kritikohet nga analistët për mënyrën se si e planifikon realizimin e dialogut Kosovë-Serbi. Ata thonë se dialogu me serbët e Kosovës do të marrë kohë dhe do të kthente procesin prapa. Blerim Burjani , nuk e sheh të nevojshëm dialogun me serbët e Kosovës, dhe për këtë ai jep disa arsye.
“Ata i kanë të gjitha të drejtat civile-politike të garantuara për pakica, ata i shfrytëzojnë ato të drejta, janë të punësuar asnjë problem nuk ka me ta. Kohën e fundit edhe Kosova shumë më pozitivisht është duke performuar në institucionet në veri, është shumë më kualitative e më pozitive. Herën e fundit, votuan me letërnjoftime të Kosovës, pra, ka një shpresë të integrimit të pakicës serbe në Kosovë. Tash t’i nuk mund t’i bësh edhe 100 vjet në dialog njëherë të brendshëm e pastaj me Serbinë. Ky është një far cirku që na çon ka bllokada e dialogut përfundimtar”, tha Burjani për Radio Kosovën.
Politologu Ramush Tahiri thotë se me njerëzit e rinj që do të ketë qeveria e ardhshme, do të formatizohet dialogu.
“ Unë kam dëshirë ta shoh formatizimin e dialogut si një lloj isntitucionalizimi që në biseda të shkojë qeveria, të shkojnë ministritë përkatëse dhe ekipet e ekspertëve, por përgjegjësinë finale ta ketë Parlamenti që e voton me 2/3 e votave, ndërsa përgjegjësinë për nënshkrim ta ketë Qeveria dhe ministritë përkatëse, sepse janë përgjegjës në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Tahiri.
Tahiri po ashtu thotë, se është e rëndësishme që ekipi negociator të mos ofrojë në Parlament ndonjë zgjidhje, e cila bie ndesh me parimet kushtetuese, është e pazbatueshme në terren, apo ndonjë zgjidhje që ndërhyn në sistemin e brendshëm të Republikës së Kosovës.























