Lëkundja e bastioneve partiake, për shkak të vetëdijesimit të qytetarëve
BKT
Lajme

Lëkundja e bastioneve partiake, për shkak të vetëdijesimit të qytetarëve

Kosovare Gashi, Radio Kosova

Lëvizja Vetëvendosje  në zgjedhjet e fundit ka lëkundur bastionet e PDK-së dhe LDK-së në disa nga komunat që deri më tash njiheshin si bastione të këtyre partive. Analistët politikë vlerësojnë se qytetarët janë vetëdijesuar, dhe se tashmë partitë politike e kanë të vështirë t’i ruajnë bastionet e tyre.

Zgjedhjet e 6 tetorit përveç ndryshimeve të përgjithshme, sollën lëkundje të papritura edhe në bastionet e partive politike. Vetëvendosje, e cila doli e para sipas rezultateve preliminare, theu bastionet e LDK-së e PDK-së në komuna të caktuara. Sipas analistit politik, Blerim Burjanit, partitë  kanë dallim të votuesve në zgjedhjet nacionale dhe ato lokale.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur ndonjë performansë pozitive në zgjedhjet lokale, gjithmonë ka dalë më mirë në zgjedhjet nacionale dhe ka dalë më keq në zgjedhjet lokale.  Kjo i bie që Lëvizja Vetëvendosje mund të jetë më e dobët në zgjedhjet lokale në vitin 2021, por kjo do të varët shumë nga qeverisja që do të bëjë në nivel vendi, nëse veç do të qeverisë.”
Ndërkaq, për analistin Imer Mushkolaj, lëkundja e bastioneve partiake po ndodh për shkak të vetëdijesimit të qytetarëve. Sipas Mushkolajt, tashmë qytetarët nuk votojnë sikur kanë votuar vite më parë, dhe së partitë politike e kanë shumë më të vështirë për t’i mbajtur votuesit .

“Qytetarët e Kosovës kur po votojnë, po  e shohin ndryshe votën e tyre,pasi vetëdija qytetare është ngritur shumë  dhe ky është një mesazh që askush nuk duhet të bazohet se një territor apo një komunë e caktuar e ka një bastion të vetin për shkak se zgjedhjet po e tregojnë të kundërtën.”

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit,  Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 12 komuna në nivel vendi, Lidhja Demokratike e Kosovës 7, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës që ka udhëhequr deri me tani me vendin, ka fituar besimin e vetëm 3 komunave.


MË SHUME NGA Lajme