Gati albumi ri i Rihannës, këngët të frymëzuara nga muzika reggae
Diva e muzikës pop Rihanna në një intervistë për prestigjiozen “Vogue” ka rrëfyer se ka gati albumin e ri. Këngët janë frymëzuar nga muzika reggae dhe pritet të prezantohen se shpejti. Këngëtarja e cila është e angazhuar edhe në projekte të tjera, ka rreth tre vite qe nuk sjell këngë të reja.
Diva e popit Rihanna është gati për të prezantuar albumin e ri muzikor. 31-vjeçarja nga Barbadosi, e cila prej tre vitesh kishte ndalur projektet muzikore, është shprehur në një intervistë për revistën “Vogue” se këngët, frymëzuar nga muzika reggae, janë drejt përfundimit.
“Nuk do të jetë një album tipik, ashtu si e njohim reggaen. Por elementët e reggaes do të ndihen në të gjitha kompozimet”, u shpreh Rihanna.
Ajo nuk dha një datë se kur do prezantohen këngët e reja por foli për lidhjen e saj me muzikën
“Muzika është, si një kod me të cilin komunikoj me botën. Është gjuha e veçantë që më lidh me njerëzit. Nëse unë nuk bëj muzikë do të thotë se kam ndërprerë komunikimin me botën”.
Këngëtarja sqaroi se refuzoi pjesëmarrjen në Super Bowl në shenjë solidariteti me aktin e Colin Kaepernick, I cili në shenjë proteste për të drejtat racore, qëndroi në gjunjë gjatë intonimit të himnit amerikan, në vitin 2016.
31-vjeçarja refuzoi të flasë për jetën personale. Vitet e fundit ajo është angazhuar edhe me projekte jashtë muzikës.
Rihanna është bërë pjesë e filmit “Oqeani 9” dhe po punon paralelisht për të prezantuar linjën e saj të veshjeve dhe të produkteve të bukurisë.























