Komuniteti LGBTI: Në Kosovë nuk po ndihemi të sigurt
Arbenita Marmullaku
Të përjashtuar e dhunuar nga familja e shoqëria, disa pjesëtarë të komunitetit LGBTI, detyrohen të shpërngulen nga Kosova në strehimoren në Shqipëri. Kështu kanë deklaruar vetë ata, të cilët po detyrohen të jetojnë një jetë të fshehtë dhe me frikë të vazhdueshme .
Komuniteti LGBTI, në përgjithësi, në Kosovë nuk po ndihen të sigurt. Kështu tregoi një pjesëtare e këtij komuniteti, e cila ka pranuar në kushte anonimiteti të flasë për Radio Kosovë. D.V, ishte e maskuar përderisa po fliste me ne, të cilës nuk ia pamë as sytë.
“Na ka përkrahur i gjithë shteti ynë, por vetëm në paradë. Sepse pasi që të kryhet kjo paradë duhet hequr të gjithë këta flamuj e këto maska që të jemi më të sigurt, sepse nëse dalim nga sheshi, jemi në rrezik. Tjerët që nuk janë në paradë nuk na përkrahin, kështu që nuk kemi pse të shkaktojmë probleme as ne”, tha një studente me iniciale D.V.
Por Çerkica Rexhepi, me ermin e vërtetë Enver, nuk i pengoi të tregonte për jetën private, i cili tha se nuk fshihet si shumica e anëtarëve të tjerë të komunitetit. Ai tha se tashmë është pranuar nga shoqëria.
“Jam transgjinor, dhe nuk e kam asnjë problem, asgjë. Fillimi gjithë është problem ,ku edhe me kanë sharë me shprehje të ndryshme, por ja që ka ardhur shansi jemi pajtuar dhe unë nuk kam problem qe 10 vite “
Çerkica, siç e quante ai veten, tregoi se anëtarët e tjerë të komunitetit LGBTI në publik paraqiten të maskuar për shkak të problemeve që mund t’i hasin nga shoqëria. Ata nuk duan të identifikohen, tha ai.
Një nga përfaqësuesit e këtij komunitetit LGBTI, Liridon Veliu, shpjegon për sfidat që përballet ky komunitet duke mos përjashtuar këtu as përjetimin e dhunës.
“Ka raste kur edhe janë larguar nga shtëpitë e tyre sepse familjarët kanë ushtruar dhunë ndaj tyre. Për fat të keq në Kosovë nuk ka ndonjë strehimore për LGBT, mirëpo kemi bashkëpunim më një strehimore në Shqipëri, ku edhe kemi dërguar disa persona atje. Por edhe kjo është njëfarë sfide në vete, për shkak se kalimi prej Kosovës në Shqipëri është një ndryshim për ta”.
I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Komuniteti LGBTI është një prej komuniteteve më të paragjykuara, më të stigmatizuara në Kosovë.
“Nëse dikush ka frikë të dalë në rrugë të tregojë se cili është, kjo për mua është e papranueshme, pa marrë parasysh se a pajtohemi apo jo me faktin që dikush është LGBTI”.
Ndonëse Kosova në aspektin ligjor u garanton të gjithëve të drejtën e orientimit seksual, në praktik ka ngecje të dukshme. Pjesëtarë të këtij komuniteti detyrohen të jetojë një jetë të fshehtë dhe me frikë të vazhdueshme nga dhuna.























