Mbretëria e Bashkuar e përkrah procesin e negociatave mes Kosovës e Serbisë
BKT
Lajme

Mbretëria e Bashkuar e përkrah procesin e negociatave mes Kosovës e Serbisë

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott , ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar e përkrah procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

"Të dyja palët duhet t’i krijojnë kushtet për përparimin e bisedimeve dhe të marrin masa që do të promovojnë një marrëveshje përfundimtare. Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët që të kërkojnë zgjidhje pozitive, të cilat janë të pranueshme në mënyrë reciproke, që janë kreative dhe të përfytyrueshme", tha ai në një intervistë për Gazetën Express.

Ai tutje deklaroi se Britania e Madhe është kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori britanik në Kosovë tha po ashtu se qeveria e re që do të formohet do të jetë përgjegjëse para votës që i ka dhënë populli dhe komuniteti ndërkombëtar do të bashkëpunojë me kryeministrin e ri që do të zgjidhet.

"Kosova është vend i pavarur dhe është përgjegjëse për marrjen e vendimeve të veta. Kryeministri i ri do të jetë përfundimisht përgjegjës para popullit të Kosovës, e jo para komunitetit ndërkombëtar. Ne dhe të gjithë anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar do të punojmë me kryeministrin e ri dhe qeverinë e re, sepse ata e kanë mandatin nga populli i Kosovës për të qeverisur. Njëlloj, jam i sigurt që kryeministri i ri do të jetë i vetëdijshëm për mbajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunimit me këto shtete dhe institucione, të cilat e kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë ta përkrahin vendin", tha ai.


MË SHUME NGA Lajme