Tetori, muaji i ndërgjegjësimit kundër Kancerit të Gjirit
Kosova ende nuk ka statistika të sakta rreth numrit të të prekurve me sëmundjen e kancerit. Por sipas Arben Bislimit, nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës, vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në Kliniken e Onkologjisë në QKUK janë zbuluar 184 raste të reja me kancerin e gjirit.
Vaide Morina
Në Kosovë po organizohen aktivitete të shumta në muajin e vetëdijesimit kundër kancerit të gjirit. Nafije Latifi, nga Organizata “Jeta Vita”, e cila me vite të tëra merret më informimin e grave për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit, tha për Radio Kosovën se vendi ynë ende ka mungesë të kushteve për trajtimin e grave të diagnostikuar më kancer.
“Instituti Onkologjik ka vend aq sa është planifikuar për një numër më të kufizuar. Aty çdo ditë trajtohen rreth 200 pacientë. Merreni me mend një institut aq i vogël, me aq pak salla për krejt këtë fluks të madh të pacienteve, dmth, kushtet për diagnostikim dhe të infrastrukturës janë shumë të kufizuara”, thotë Latifi.
Ndërsa, drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli, tha se janë duke u bërë mamografi falas jo vetëm përmes mamografit mobil, por edhe në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“ Kanceri i gjirit është një vrastar shumë i ashpër, përveç nëse zbulohet herët. Mënyra e vetme për ta luftuar këtë vrastar të ashpër është zbulimi i hershëm”, thotë Gjikolli.
Arben Bislimi, nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës, thotë se vendi ynë ende nuk ka regjistër të kancerit ku do të evidentohej saktësisht numri i pacienteve të diagnostikuar me kancer.
“Ne akoma nuk kemi një regjistër të kancerit, por ne thirremi në rastet e reja që i mbledhim, dhe duhet të përmend se në gjashtëmujorin e parë me kancer gjiri kanë qenë diku 184 raste të reja”, thotë Bislimi.
Në kuadër të muajit të aktiviteteve për vetëdijesim për këtë sëmundje vdekje prurëse, Komuna e Prishtinës u bënë thirrje grave që t’i vizitojnë qendrat shëndetësore në 5 fshatra të kryeqytetit dhe të informohen sa më mirë për këtë sëmundje, dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj. Përmbyllja e fushatës do të shënohet si çdo vit me ecjen e cila mbahet më 26 tetor në Prishtinë, e cila do të mbledhë personalitete të shumta institucionale si dhe shoqërinë civile.























