KPM po i shqyrton të gjitha rastet e fushatës veç e veç, shpejt marrin masa
Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, në raportin preliminar, ndër të tjera, nënvizon se Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e mediave audiovizive, përgjithësisht dështoi të sanksionojë dhe të korrigjojë shkeljet gjatë fushatës zgjedhore.
Nënkryetarja e KPM-së, Violeta Hyseni Kelmendi, thotë se këto vërejtje i kanë marrë me shumë seriozitet. Sipas saj, kritikat kryesore kanë ardhur lidhur me procedurat e brendshme. "Janë procedurat e brendshme që në njëfarë forme ndikojnë të vendimarrja. Vet fakti që përgatitet një raport e pastaj palës i jepet kohë tre ditë për tu përgjigjur për shkeljet e detektuara nga departamenti i monitorimit, dhe pastaj përgatitet rekomandimi nga departamenti ligjor, kjo është një rruge e gjatë para se të kemi vendimarrje"
Komisioni i Pavarur i Mediave ka monitoruar mediat qendrore audiovizive dhe vlerëson se përgjithësisht nuk ka pasur shkelje të mëdha që do ta dëmtonin procesin zgjedhor. Ajo thekson se te medait serbe i është dhënë një hapësire e madhe listës serbe.
"Edhe te mediat qendrore kemi vërejtur se në disa raste, të paktën dy raste ka pasur situatë kur një subjekt politik është përfaqësuar më shumë se subjektet tjera, pra nuk ka pasur përmbajtje të balancuar në programet televizive, ka pasur raste te reklamimi politik me apo pa pagesë, ku nuk është bërë e qartë nëse reklamimi është bërë me apo pa pagesë dhe kush e ka bërë atë, te ditaret, jo të gjitha mediat i kanë dorëzuar ditaret në KPM"
Hyseni thotë në KPM nuk është dorëzuar asnjë ankesë nga qytetarët apo subjektet politike lidhur me atë se si mediat i kanë mbuluar aktivitetet e tyre. Ajo bën të ditur se KPM po shqyrton të gjitha rastet vec e veç dhe shumë shpejtë do të marrë masa për të gjitha shkeljet e evidentuara. Varësisht nga shkeljet, masat ndëshkuese mund te jenë nga 1000 deri në 100 mijë euro, por ndonjëherë ato kalojnë vetëm me vërejtje e rekomandim.























