FFK nënshkruan marrëveshje me Federatën e Futbollit të Gjermanisë
BKT
Sport

FFK nënshkruan marrëveshje me Federatën e Futbollit të Gjermanisë

Sot në selinë e FFK-së është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Gjermanisë.

Kjo marrëveshje do të përfshijë përfitimin e përvojave gjermane për Kosovën në të gjitha fushat.

Ndër të tjera kjo marrëveshje do të përfshijë shkuarjen e ekipeve kombëtare të grupmoshave të reja në kampet e Gjermanisë, ku do të kryhen stërvitje me ekipet e njëjta kombëtare të Gjermanisë.

Po ashtu, trajnerët do të ndjekin seminare dhe do të fitojnë përvojë me ekipet më të mira gjermane si dhe me ekipet kombëtare gjermane. 

Me këtë rast kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi u shpreh tejet i lumtur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Bashkëpunimi për ndihmat e ndërsjellat të cilat Federata e Kosovës, ka nevojë për federatën gjermane dhe  njëkohësisht pritjen e tyre në Kosovë për çdo event apo çdo ndeshje ne na intereson ose në çdo pikë që neve na intereson si Federatë. Unë i falënderoj shumë se është një marrëveshje dhe një përkrahje mund të them lirisht e pa rezervë të Federatës së Gjermanisë. E falënderoj edhe kryetarin Rainer për punën që e ka bërë për ne dhe kjo marrëveshje është përgatitur tash e 6 muaj përpara”, tha Ademi.

Ndërkohë që presidenti i Federatës së Futbollit të Sachsenit, federatë në kuadër të Federatës Gjermane, Herman Winkler u shpreh se kjo marrëveshje do t’i ndihmojë shumë Kosovës dhe do të vazhdojnë në një të ardhme shumë të gjatë, duke i sjellë shumë të mira FFK-së.

“T’iu them të drejtën kam një respekt të jashtëzakonshëm për të arriturat e juaja në veçanti në futboll dhe në sport, kur e dimë të gjithë me çfarë probleme jeni marrë ju në të kaluarën. Një popull i dalë nga lufta, një popull i cili i ka një mijë telashe tjera dhe sot jeni duke e bërë të lumtur jo vetëm popullin e juaj, por jeni duke na bërë edhe ne krenar që po bashkëpunojmë me ju”, tha Winkler.

Nënkryetari i  nderit i Federatës gjermane të Futbollit,  Rainer Milkoreit u shpreh se Gjermania do të jetë gjithmonë partner i Kosovës dhe do ta ndihmojë atë që të ketë një të ardhme të ndritur në futboll.

“Federata e Futbollit të Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet një ndër partnerët më të sinqertë dhe me të besueshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës. Si në kohën e të ndjerit Fadil Vokrrit, po ashtu edhe tek Agim Ademi çdo gjë është duke funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ne do të vazhdojmë t’iu  përkrahim pasi që vërtetë është duke u bërë një punë e mirë në FFK. Është kënaqësi shumë e madhe për punën që është bërë brenda këtyre tri viteve në FFK. Para katër viteve nuk kemi mundur të dalim në arenën ndërkombëtare, kemi ëndërruar për të qenë pjesë e garave evropiane, ndërsa në tri vitet e fundit ju keni arritur suksese shumë të mëdha, ti mblidhni edhe yjet më të mëdha të futbollit që luajnë në Evropë që edhe në të ardhmen të jen pjesë e reprezentacionit të Kosovës, prandaj në emër të Federatës së Futbollit të Gjermanisë ju them se FFK ka një mbështetje shumë të madhe nga Federata e Futbollit të Gjermanisë”, tha Milkoreit.

Kujtojmë që përfitues nga kjo marrëveshje do të jenë edhe gjyqtarët, sidomos ata fillestarë, të cilët do të ndjekin seminare të ndryshme, sikurse edhe sektori për marrëdhënie me jashtë, administratorët e sektorëve të ndryshëm në FFK dhe menaxherët e ekipeve kombëtare.

Kjo marrëveshje përfshinë edhe edukimin në kuadër të UEFA-s me projekte të veçanta, si sistemin VAR, programerët dhe softveristët etj.