Te Ajaks ndihesha i pamposhtur

Te Ajaks ndihesha i pamposhtur

Matajs De Ligt po vuan ende presionin e të transferuarit te Juventusi, ndërkohë që pritshmëritë për të janë të mëdha dhe prozhektorët janë drejtuar nga 20-vjeçari. Mbrojtësi e nisi sezonin me bardhezinjtë si autor i disa gafave, ndërsa tashmë edhe me Kombëtaren, sërish gaboi duke u shfaqur i pasigurt.

Në lidhje me këtë, De Ligt ka kërkuar më tepër kohë teksa shprehet se për të çdo gjë është e re, megjithatë thekson se duke punuar do arrijë t’ia dalë që sezonin ta mbyllë në mënyrë pozitive. “Mbase te Ajaksi ndihesha i pamposhtur, por tani është ndryshe. Besoj se është normale, sepse gjithçka është e re për mua. Jam duke luajtur, të aktivizohem është më e rëndësishmja për mua.

Jam i sigurt se në fund gjithçka do të shkoj mirë dhe sezoni do të jetë pozitiv. Ajo çfarë mund të bëj është të vazhdoj të stërvitem dhe të punoj fort. Të jap më të mirën time, duke kërkuar të mësoj nga shokët e skuadrës. Jam duke u përmirësuar, nuk jam i shqetësuar”, u shpreh De Ligt.