Zyrtarët e hospitalizuar të KQZ-së "nuk kanë sëmundje ngjitëse"
Instituti i Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive në Prishtinë, kanë përjashtuar mundësitë e ndonjë sëmundjeje ngjitëse për 12 personat të cilët janë hospitalizuar të dielën në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi janë përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë.
Pas rezultateve të analizave, të cilat janë bërë publike pas 48 orëve, ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së kësaj Klinike, Linda Ajazaj-Berisha, tha se nga rezultatet e analizave nuk kanë treguar ndonjë sëmundje infektive.
"Prej rezultateve të cilat i kemi marrë është konfirmuar që nuk ka sindromë infeksioze", tha Ajazaj- Berisha.
Të 12 punonjësit e Komisionit Qendror Zgjedhor janë hospitalizuar pasi në duart në duart dhe fytyrën e tyre, janë shfaqur shenja të një lloj alergjie.
Autoritetet e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë në kërkim të një laboratori në një shtet të huaj, që do të mund të hetonte substancën eventuale në zarfet me vota, të cilat kanë qenë duke numëruar zyrtarët e KQZ-së.
Aktualisht numërimi i votave të ardhura nga Serbia është pezulluar.
Zgjedhjet e parakohshme paralmentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës./REL























