Merkel: Shqipëria ka bërë progres, keqardhje që BE nuk mbajti premtimin
BKT
Shqipëri

Merkel: Shqipëria ka bërë progres, keqardhje që BE nuk mbajti premtimin

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel deklaroi sot se nuk është arritur vendim unanim për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe Shqipërinë, edhe pse siç tha ajo, Shqipëria ka bërë progres.

“Janë disa vende që kanë rezerva. Ne kemi diskutuar në lidhje me këtë. Patjetër që do të zhgënjehen, si kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë”, tha Merkel.

“Unë e mbështes në një pikë presidentin Makron sa i përket procesit të zgjerimit që duhet reformuar”, u shpreh Kancelarja.

“Kemi rënë dakord për disa gjëra që duhen bërë. Gjermania dëshiron që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave deri tek ndryshimi i emrit. Ka qenë progres i madh. Edhe Shqipëria ka bërë progres. Mendoj që Shqipëria ka bërë shumë progres, por nuk u arrit të marrim një vendim unanim sa i përket Shqipërisë”, tha ajo.

Merkel u shpreh se bëhet fjalë për hapjen e negociatave, jo për anëtarësim. “Ata patjetër duhet të përballen me disa kushte që kemi vendosur. Në Shqipëri vijon të ketë probleme përfshi dhe emigrimin. Megjithatë Shqipëria ka bërë maksimumin sa i përket emigracionit. Kur bëjmë premtime patjetër që duhet t’i përmbajmë ato. Dhe nuk do t’i kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që kemi bërë premtime. Në fakt ka disa faza sa i përket anëtarësimit. Vërtet dua që këto vende të bëhen anëtare, por më parë duhet të kalojnë në faza të ndryshme të këtij procesi”, tha ajo.


MË SHUME NGA Shqipëri