Shpërthen Gasperini: Dy penallti “fantazmë”, më kujtuan finalen e Kupës
Lazio dhe Atalanta dhuruan një spektakël të vërtetë pasditen e djeshme në “Olimpico”, teksa pas një pjese të parë të fituar 0-3 nga miqtë zikaltër, vendasit reaguan fuqishëm në 45-minutëshin e dytë, duke rikthyer baraspeshën falë edhe dy penalltive të fituara dhe shndërruar në gol nga Ciro Immobile.
Pikërisht këto penallti nuk i kanë lënë një shije të mirë trajnerit të Atalantës Gian Piero Gasperini, që në konferencën për shtyp pas ndeshjes shprehu gjithë indinjatën e tij për “dy 11-metërsha të paqenë”, teksa solli në vëmendje edhe finalen e Kupës së Italisë, të humbur 2-0 ndaj Lazios në “Olimpico”, në maj të këtij viti.
“Skuadra bëri një paraqitje të shkëlqyer dhe arriti të vërë ndeshjen në shinat e duhura, por më pas Lazio reagoi, e ndihmuar nga një penallti, sipas meje inekzistente. Immobile bën një hap dhe pastaj shembet në tokë, por po të kishte pasur kontakt me mbrojtësin do ishte rrëzuar direkt. Nuk i kuptoj këto penallti. Edhe 11-metërshi i dytë nuk qëndronte, pasi mbrojtësi ynë ishte përpara Immobiles, ndërsa ky i fundit zgjati këmbën dhe e vuri para tij dhe “vodhi” një tjetër penallti. Më erdhi në mendje finalja e Kupës, të cilën e humbëm nga vendimet e arbitrave, por atëherë ishte një trofe në lojë, ndërsa sot vetëm 3 pikë, ndaj nuk ka pse ta ekzagjerojnë”, deklaroi Gasperini.
Menjëherë pas konferencës për shtyp të numrit një të bankinës së Atalantës, reagoi edhe klubi i Lazios me një komunikatë, ku i cilësoi të pajustifikuara dhe të papranueshme fjalët e Gasperinit në lidhje me arbitrimin.























