Shqipëri-Vietnam: Marrëveshje për heqjen e taksimit të dyfishtë
Nënshkrimi sa më parë i marrëveshjes për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe nxitja e mbrojtja e investimeve reciproke ishin në qendër të takimit që Presidenti i Republikës, Ilir Meta pati sot me Kryeministrin e Vietnamit, Nguyễn Xuân Phúc, në Tokio.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e veçanta tradicionale mes Shqipërisë dhe Vietnamit, si dhe shprehu vullnetin e gatishmërinë për forcimin e tyre, në kontekstin e ri të zhvillimeve të të dy vendeve dhe objektivave për zhvillim të qëndrueshëm.
“Bashkëpunimi i ngushtë në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të OKB-së, rritja e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, përmirësimi i kuadrit ligjor reciprok, janë të rëndësishme për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve”, nënvizoi Presidenti Meta gjatë takimit me Kryeministrin e Vietnamit, Nguyễn Xuân Phúc.
Presidenti Meta dhe Kryeministri i Vietnamit theksuan rëndësinë e nënshkrimit sa më parë të marrëveshjes për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve reciproke.
Kryeministri i Vietnamit, Nguyễn Xuân Phúc i konfirmoi Presidentit Meta ftesën zyrtare të Presidentit të Vietnamit për një vizitë shtetërore me qëllim gjallërimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Me ftesë të Perandorit të Japonisë, Presidenti i Republikës Ilir Meta ndodhet në Tokio, për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Madhërisë së Tij Perandorit të ri të Japonisë, Naruhito.























