Viktimat e krimit në Kosovë, të pambrojtura
Përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se dhuna në familje, ka shtuar rastet e viktimave të krimit, që po manifestohet edhe me krime të rënda si vrasja e grave apo forma tjera të dhunës. Ky është bërë fenomen shqetësues dhe alarmues për shoqërinë dhe autoritetet kompetente, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ka sinjale të mira që po përmirësohet trajtimi i viktimave të krimit, por sipas saj, prapë ndodh që të këtë dështim nga sistemi i drejtësisë në raste të caktuara dhe viktimat e krimit të mos ndjehen aq të sigurta.
“Kemi pasur disa raste vitin e fundit, do të thotë veçanërisht gjatë këtij viti ku kemi dy dënime me burgim të përjetshëm për dy vrasës të grave, që ka qenë një sinjal i mirë prej sistemi gjyqësor. Mirëpo, duhet të rikujtojmë që të dyja këto raste janë kthyer sërish në rigjykim dhe ka gjasa që nëse nuk vazhdojnë të jenë të ashpër gjyqtarët në shqiptimin e dënimeve, këto dënime edhe të ulen”, thotë ajo.
Moszbulimi ose mosndëshkimi i krimeve dhe po ashtu neglizhenca e mekanizmave të sigurisë, shton Berisha, po rrezikon në përsëritjen e rasteve të dhunës në familje, të cilat po përfundojnë edhe me fatalitet.
“Gjithmonë në rastet e dhunës në familje kur trajtimi nuk ka qenë adekuat, do të thotë konform normave ligjore, ashtu siç kërkohet sipas ligjit prej institucioneve vendore, kemi pasur që rasti ka shkuar dhe ka përfunduar me fatalitet. Është rasti i Zejnepes, rasti i Antigonës, janë raste të tjera të grave të cilat edhe pse fillimisht u janë drejtuar institucioneve, ato kanë hezituar, nuk ju kanë besuar, kanë fajësuar viktimat dhe në fund ushtruesit e dhunës kanë përfunduar edhe me vrasjen e tyre (të grave)”, thotë Berisha.
Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal dhuna në familje është futur si vepër e rënd penale.
Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet./REL























