Komisioni Evropian: Shqipëria e para në rajon për Qeverisjen Elektronike
Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar këtë mëngjes se Shqipëria është vlerësuar nga Komisioni Evropian si e para në rajon për Qeverisjen Elektronike në 2019.
Krahas lajmit, Rama ka shpërndarë edhe një foto të grafikut të 36-vendeve që aplikojnë e-Qeverisjen, ku Shqipëria renditet e para në rajon dhe e 14-ta mes 36 vendeve.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë vlerësim të Shqipërisë nga Komisioni Evropian për Qeverisjen Elektronike në 2019, ju uroj një ditë të mbarë” shkruan ndër të tjera Rama. Komisioni Evropian ka dhënë vlerësime pozitive për Shqipërinë sa i takon informatizimit të shërbimeve publike dhe rritjen e aksesit online”, shprehet Rama.
Në progresraportin e fundit të KE-së (viti 2019) thuhet se: “Shërbimet elektronike, siç janë pagesat online të taksave, janë zhvilluar edhe më tej. Informacioni mbi shërbimet publike është më i aksesueshëm për qytetarët”.
Konstatimi i KE-së është inkurajues, për realizimin e objektivave për zhvillim dhe përmirësim të mëtejshëm në sferën e shërbimeve publike online.
Shërbimet elektronike të portalit qeveritar e-Albania janë domosdoshmëri e veprimtarisë së përditshme për mbi 800 mijë shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut. Sot ofrohen pothuajse 600 shërbime elektronike dhe 38 dokumente me vulë elektronike.
Dhënia vlerë ligjore e vulës elektronike dhe nënshkrimit elektronik ka patur një ndikim të madh për reduktim kostosh dhe kohe të humbur për qytetarët. e-Albania dhe shërbimet me vulë kanë evituar në total 100 vite pritje në radhë në sportelet e administratës dhe kanë kursyer mbi 100 milionë lekë të reja nga ofrimi pa pagesë i certifikatave të gjendjes civile.
Në vijim pritet të shtohen edhe 100 shërbime të reja elektronike me vulë elektronike.
E-Albania funksionon falë Platformës Qeveritare e Ndërveprimit, e cila është pikë kyçe e realizimit të ndërveprimit të sistemeve të institucioneve shtetërore, e cila është në zhvillim të vazhdueshëm. Platforma është unike në rajon dhe vendet e Ballkanit po synojnë të ndjekin këtë shembull për të realizuar simotrat e saj në vendet respektive. ./ATSh























