Ambasadorja: Holanda mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE
Ambasadorja e Holandës në Tiranë, Guusje Korthals Altes, deklaroi të mërkurën se Holanda e mbështet perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deklarata e ambasadores holandeze u bë gjatë nënshkrimit të memorandumit për projektin për garantimin e integritetit në kuadër të mirëqeverisjes mes MIE dhe ambasadës holandeze.
Projekti për garantimin e integritetit në kuadër të mirëqenies, tha ambasadorja holandeze, është një çështje mjaft e rëndësishme dhe stimulon konsideratat e ndryshme që kanë të bëjnë me politika të ndryshme dhe zbatimin e tyre. Sipas saj, kjo është mjaft e rëndësishme edhe në Holandë.
“Puna që ka ndërmarrë ministria e Infrastrukturës, por edhe angazhimi që po ndërmerr për të ardhmen ka një ndikim në transparencën dhe përgjegjshmërinë, dy elementë këta të rëndësishëm, të cilët janë në rrugëtimin që Shqipëria ka marrë për të shkuar drejt Bashkimit Evropian. Dua t’u siguroj se vet Holanda e mbështet perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në të ardhmen aty, për t’u ndihmuar ju, për të lehtësuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi ambasadorja Altes
Të punuarit në këtë projekt për garantimin e integritetit, vijoi Altes, është shembull konkret që po bëjmë. “Çdo ndryshim ka patjetër nevojë për përfshirjen e sa më shumë partnerëve dhe ne duhet të punojmë së bashku. Të punuarit në mënyrë të suksesshme do të bëjë të mundur të kemi rezultate të suksesshme”, theksoi ambasadorja. /ATSh























