Limaj: Dikush po tenton ta dëmtojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se votat e ardhura nga Serbia duhet të anulohen, pasi këto vota janë sjellë në mënyrë jo ligjore dhe si të tilla duhet të anulohen.
“Nuk i llogaris si vota që duhet të procedohen. Janë vota të parregullta që janë raportuar nga vetë zyrtarët shtetërorë, 2-mijë e ca vota që kanë ardhur në kushte të parregullta e jo siç e përcakton ligji, nuk i kanë plotësuar kushtet e KQZ-së, janë jo ligjore”, ka thënë Limaj në RTV Dukagjini.
Ai ka deklaruar se KQZ ka heshtur ndaj këtyre votave. “Në QNR kanë shkuar këto kuti pa miratimin e KQZ-së dhe pa pasur miratim se këto vota janë të rregullta, me çfarë letre i kanë pranuar, a kanë pasur një udhëzim nga organi qendror, KQZ s’ka dhënë asnjë rekomandim, ka heshtur dhe votat janë futur pas asnjë rekomandim, ata në QNR nuk e dinë nëse këto vota janë të rregullta, pa asnjë proces verbal. Shpejtësia se si këto vota janë dërguar në QNR, të lë të kuptosh se dikush qëllimisht është duke kontrabanduar dhe se dikush po tenton ta dëmtojë rezultatin përfundimtar”, ka thënë Limaj.
Limaj ka pohuar se Nisma e ka ruajtur dhe e ka shtuar elektoratin e vet, por dalja më e madhe e qytetarëve të zgjedhje, ka bërë që Nisma të mos ketë ngritje në përqindje.
Ai ka thënë se në bazë të gjitha të dhënave që kanë deri më tani Nisma është në Kuvend, por sipas tij pakënaqësitë ekzistojnë edhe për këtë rezultat.
Limaj ka thënë se në këto kalkulime nuk llogaritë edhe “votat e kontrabanduara nga Serbia”.
Po ashtu, Limaj ka deklaruar se është mirë që qytetarët i kanë dhënë mundësinë Albin Kurtit, që të provojë qeverisjen, pasi deri më tani është marrë vetëm më opozitën dhe nuk ka pasur rast të ballafaqohet me përgjegjësit e pozitës.























