Rama shpërthen ndaj Haradinajt: Do ta çoj në gjyq!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se do ta padisë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn, i cili ditë më parë ka deklaruar se Rama bashkë me presidentin Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqin kishin plan ta ndanin Kosovën, duke përmendur edhe një shifër prej 10 miliardë eurosh në këtë mes.
"Në gjykatat e Kosovës, zotëria duhet të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndanim unë, Hashim Thaçi dhe Vuçiçi. Që t’i thuash një populli se ishin 10 miliardë në tavolinë atyre bravo ju qoftë që marrin akoma vota. Ky dha dorëheqjen me demek dhe është akoma kryeministër i Kosovës, një person që më detyroi të dal publikisht që gënjeu pas samitit të Berlinit. Në asnjë sekondë nuk i kam bërë presion që të heqë taksën. I kam thënë vetëm që “kjo që të propozon Macron të vjen vetëm një herë”. Macron në sy tim, kancelares Merkel, presidentit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë i tha: “Më jep 4 muaj Ramush dhe do futem unë në procesin e dialogut. Ti pezulloje taksën. Nuk i tha njeri hiqe taksën. Serbia të pezullojë fushatën idiotekse kundër njohjeve dhe nëse pas katër muajsh s'ka asgjë pozitive nga dialogu, unë do të heq veton për vizat”.
Në vend që të bënte një lëvizje taktike për të marrë diçka bëri një kokfortësi dhe sot Kosova nuk ka akoma vizat. Dhe pastaj gënjeu dhe tha që po më bëjnë presion. Këtë kryeministrin në ikje do ta çoj në gjyq", tha Rama në emisionin "Opinion" me Blendi Fevziun.
Paralajmërimi i Ramës erdhi për akuzat e kryeministrit në detyrë të Kosovës, i cili më parë është shprehur: “Ndalova pra, grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpuntorë në realizimin e kësaj skeme” ka thënë Haradinaj ditë më parë.
Sipas Ramës, tani Haradinaj duhet të provojë në gjykatat e Kosovës sesi do të ndaheshin këto 10 miliardë.























