Soreca: T’i bashkojmë dhe fuqizojmë të rinjtë e Ballkanit Perëndimor
“Ne duhet t’i angazhojmë, t’i bashkojmë dhe t’i fuqizojmë të rinjtë e Ballkanit Perëndimor”, ishte mesazhi që ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, dha në seminarin e Erasmus + me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne duhet t’i angazhojmë, t’i bashkojmë dhe t’i fuqizojmë të rinjtë e Ballkanit Perëndimor dhe Erasmus+ është i përshtatshëm për këtë sfidë. Bursat Erasmus nuk duhet të jenë qëllimi përfundimtar. Ne nuk duhet të ndalemi në aftësimin dhe bashkimin e rinisë. Ne gjithashtu duhet të përpiqemi t’i fuqizojmë ata”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.
250 përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Tiranë për të diskutuar dhe krijuar partneritete në mënyrë që të rritet sasia dhe cilësia e aplikimeve të përbashkëta në kuadrin e Erasmus+.
Gjatë pesë viteve të fundit Erasmus+ ka financuar projekte me Ballkanin Perëndimor që kanë përfshirë 37 mijë studentë, studiues dhe staf të institucioneve të arsimit të lartë në rajon dhe atyre në vendet e Programit Evropian. Erasmus+ e ka intensifikuar praninë e tij në Ballkanin Perëndimor dhe aktualisht Bashkimi Evropian po punon për të dyfishuar buxhetin e Erasmus+ të caktuar për rajonin.























