Shqetësuese numri i madh i automjeteve të pasiguruara në Kosovë
Në kuadër aktiviteteve për të shënuar Ditën Botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, Policia e Kosovës gjatë ditës sotme ka realizuar një prezantim mbi sigurinë në trafikun rrugor në Kosovë.
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve në Kosovë, Sami Mazreku teksa tregoi qëllimet e punës tyre, tha se shqetësimi kryesor i tyre është numri i madh i automjeteve të pasiguruara.
Mazreku: Kompanitë e sigurimeve në 6 muajt e parë 2019 paguan 22 milionë euro dëme
“Nga 2001 deri në vitin 2018, komplet sektori ka paguar 400 milionë euro dëme nga sigurimet, këtu bëjnë pjesë edhe pjesa e dëmeve të pa siguruara që ka paguar sektori, të cilat janë barrë për kompanitë e sigurimeve... Vetëm gjashtëmujori i parë i vitit 2019 kompanitë e sigurimeve kanë paguar 22 milionë euro dëme, e që është një rritje prej 5.8 për qind krahasuar me vitin paraprak”, u shpreh Mazreku.
Drejtori i Divizionit të Komunikacioni rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi shprehu nevojën për një edukim dhe vetëdijesim më të madh të qytetarëve për trafikun rrugor.
Teksa tregoi edhe disa nga statistikat e Policisë për aksidentet në trafik, ku sipas tij gjendja sa i përket aksidenteve fatale në periudhën janar-shtator 2019 është më e mirë se e vitit paraprak.
Nga Këshilli i Sigurisë për Siguri në Trafik në Ministrinë e Infrastrukturës, Fejzullah Mustafa tha se siguria rrugore duhet vendoset në një agjendë më të lartë se sa është tani.
























