Ekonomiku i Universitetit të Gjilanit në fazën e reformimit
Albana Karaj,Radio Kosova
Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, është në fazën e reformimit të tij.
Tashmë është edhe në proces të aplikimit për akreditim për programe të reja studimi. Gjithashtu, rezultatet e një hulumtimi flasin se do të bëhet edhe ristrukturimi i programeve që do të përshtaten me tregun e punës.
Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Gjilanit, “Kadri Zeka “, ka bërë një hulumtim me studentë alumni të këtij Fakulteti, për të nxjerrë rezultate se ku do të jenë ata pas studimeve dhe si e kanë gjetur veten në tregun e punës. Dekani i Fakultetit Ekonomik të këtij universiteti, Xhevat Sopi, tha për Radio Kosovën se ky hulumtim, është bërë edhe me qëllimin e orientimit të programeve të reja të studimit. Sipas tij, nga rezultatet e hulumtimit, fakulteti dhe programet aktuale, kanë përgatitur në masë të kënaqshme studentët për të vazhduar më tutje studimet e tyre, por iu ka ndihmuar më pak sa i përket punësimit.
Dekani Sopi, tha se tashmë janë në fazën e aplikimit për akreditim të programeve të reja të Fakultetit Ekonomik, të cilat do të bazohen në rezultatet e hulumtimit.
Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, në takimet me studentët alumni, ka marrë edhe rekomandimet e tyre për të ardhmen e Fakultetit dhe të të diplomuarve. Hulumtimi, ku janë përfshirë 131 studentë të diplomuar në Fakultetin Ekonomik, nga 350 sa kanë diplomuar, thotë se rreth 50 për qind prej tyre, kanë propozuar që të ndryshohen programet e studimit dhe të zëvendësohen me të reja si dhe të kenë mundësi të praktikës.























