Ambasadorja Yuri Kim: Prioritet zgjidhja e krizës politike në Shqipëri
Zgjidhja e krizës politike në Shqipëri është caktuar si një nga tre përparësitë e kandidates për ambasadore të Shteteve të Bashkuara Yuri Kim.
Gjatë seancës dëgjimore para Komitetit të Politikës së Jashtme të Senatit Amerikan, zonja Kim, iu referua gjithashtu edhe nxitjes së reformës në gjyqësor që po ndërmerret nga autoritetet shqiptare.
“Unë do t'i nxis udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin e tanishëm politik në një mënyrë që të përforcohet aspirata e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit me Bashkimin Europian si dhe forcimin e rolit të vendit si kryesues i radhës i OSBE-së. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të nxisin Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore, verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të krijojë një strukturë speciale të pavarur kundër korrupsionit dhe një Byro Kombëtare të Hetimit. Unë gjithashtu do të dyfishoj angazhimin dhe ndihmën teknike amerikane në hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
E pyetur në lidhje me rolin që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë dhe çështjes së ndryshimit të kufijve zonja Kim theksoi para senatorëve se Uashingtoni ka dërguar dy të dërguar të posaçëm në rajon, ndërsa shtoi se ndryshimi i kufijve nuk është i dobishëm.
Në lidhje me ndikimin e huaj në Shqipëri nga fuqi të tjera jo perëndimore, zonja Kim tha se Rusia nuk përbën një shqetësim, por problem për të është Kina, për shkak të investimeve dhe komplikimeve politike që ato mund të sjellin./oranews























