Certifikimi i rezultateve pritet të marrë kohë
Kosovare Gashi
Edhe gjashtë ditë bëhen një muaj prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por, certifikimi i rezultateve pritet të marrë kohë.
Njohës të rrethanave vlerësojnë se këto vonesa po shkaktohen më qëllim të manipulimit të rezultatit dhe po e zbehin procesin e rregullt të votimit. Ndërkaq në KQZ thonë se janë procedura të rregullta që KQZ duhet ndjekur.
Ndonëse procesi i votimit i datës 6 tetor u vlerësuar rregullt, procesi i numërimit deri te certifikimi i rezultateve po merr goxha kohë. Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disa herë ka vendosur për rinumërim të disa qendrave të votimit në të cilat janë shfaqur gabime teknike. Aktualisht procesi i rregullt i numërimit ka përfunduar, por që KQZ është në pritje të vendimit të Gjykatës Suprem, nëse do të numërohen apo jo votat e diasporës që kanë ardhur pas datës 6 tetor. Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, theksoi se publikimi i rezultateve përfundimtare varet nga vendimi i Supremes.
“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme. KQZ-ja, siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, nuk mund të shpallë rezultatet përfundimtare pa u përmbyll edhe kjo çështje”, tha Elezi për Radio Kosovën.
Analisti politik, Naim Rashit, vlerëson se vonesat në përfundimin e numërimit të votave dhe mos certifikimi i zgjedhje, po e dëmton edhe procesin e votimit. Sipas tij, këto vonesa po bëhen me qëllim të manipulimit të rezultateve.
“Si rezultat i sistemit zgjedhor me nga 5 pika, pra votimin e 5 kandidatëve po shkakton huti të votuesit dhe po ka hapësirë për manipulime. Kandidatët e subjekteve politike manipuluan rezultat prej rezultateve nga qendrat e vendvotimit deri te formularët e KQZ-së”, tha Rashiti për Radio Kosovën.
Sipas Rashitit, procesi i votimit do të duhej të ishte më i thjeshtë, në mënyrë që edhe rruga deri të certifikimi i zgjedhjeve të jetë më e shkurtër.
Ndërkaq, edhe Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se vonesat për certifikimin e rezultateve po bëhen për shkak të gabimeve teknike, po edhe me qëllim të manipulimit të rezultateve nga komisionarët e partive politike. Eugen Cakolli, nga ky institut, tha për Radio Kosovën se procesi i numërimit do të mund të përfundohej më shpejt.
“Përkundër faktit që sistemi zgjedhor mund të duket i komplikuar, unë konsideroj që vonesat në procesin e numërimit vijnë si rezultat i lëshimeve qoftë si rezultat i gabimeve njerëzore apo i tentativave për manipulim të rezultatit nga ana e komisionarëve”, tha Cakolli.
Kohë pothuajse të njëjtë deri te shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimit të zgjedhjeve i është dashur KQZ-së edhe në dy palë zgjedhjet paraprake. Në vitin 2017, kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, certifikimi i zgjedhjeve ka zgjatur 28 ditë. Ndërsa, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të mbajtura në vitin 2014, certifikimi i rezultateve ka zgjatur 27 ditë.























