Diskutohet për prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit
BKT
Lajme

Diskutohet për prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mbanTryezën e Diskutimit me temë `Prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit: Një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit`.

Kjo Tryezë Diskutimi ka për qëllim që të diskutojë mbi propozimet, axhendat dhe prioritetet e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.

Më tutje, diskutimi do të fokusohet në çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e legjislacionit apo politikave parlamentare në fushën gjyqësore dhe prokuroriale, mekanizmat e zbatimit të drejtësisë penale, mekanizmat në luftën kundër korrupsionit, apo edhe proceset e integritetit siç është vetingu mbi sistemin e drejtësisë.

Përfaqësuesit e subjekteve politike do të kenë rastin të përgjigjen në pyetjet se çfarë janë prioritetet e legjislaturës së re në fushën e sundimit të ligjit? Çfarë pritet të ndodh me shumë iniciativa të mbetura në gjysmë të qeverisë së kaluar? Kush do të jetë udhërrëfyes në ndërtimin e një politike të reformës në drejtësi? A do të merren paralele nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria? Në çfarë forme do të duket përfshirja e elementit ndërkombëtar në këto reforma, dhe kush do ta ketë pronësinë e procesit?

Një diskutim i tillë do të mundësojë, për herë të parë pas zgjedhjeve të 6 Tetorit, që partitë politike të diskutojnë mbi axhendat e tyre dhe angazhimin e mëtutjeshëm parlamentar në fushën e sundimit të ligjit. Për fund, ky diskutim do shërbej në informimin e drejtë të qytetarëve lidhur me planet thelbësore të legjislaturës së re në përmirësimin e fushës së sundimit të ligjit.

Panelistët:

znj. Albulena Haxhiu – Lëvizja Vetëvendosje (LVV);

z. Armend Zemaj – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK);

z. Abelard Tahiri - Partia Demokratike e Kosovës (PDK);

z. Arton Demhasaj – Organizata Çohu.


MË SHUME NGA Lajme