Hamiti thotë se ka ndodhur një vandalizëm i paparë juridik
Muhamet Hamiti, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, konsideron se është cenuar integriteti i zgjedhjeve nacionale në vend.
Hamiti përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka denoncuar atë që ai e ka cilësuar si “vandalizëm i paparë juridik”.
Postimi i plotë:
VANDALIZËM I PAPARË JURIDIK
Integritetin e zgjedhjeve nacionale në Kosovë e cenojnë tri vendime: i PZAP-ës që nuk e pranoi parashtresën për hedhje poshtë të votave të kontrabanduara nga Serbia (për Listën Serbe), vendimi i Gjykatës Supreme për numërim të votave nga diaspora që kanë mbërritur pas afatit ligjor, madje mbas ditës së votimit, si dhe vendimi i KQZ-së për pranim të votimeve në Runik, ku kanë firuar 450 fletëvotime.
Me vendim të Gjykatës Supreme mëtohet të ndërrohet Ligji për Zgjedhjet - rast i paprecedent - sepse normën mund ta krijojë vetëm Gjykata Kushtetuese.
Ligjin natyrisht mund ta ndryshojë vetëm Kuvendi i Kosovës.
E gjithë kjo katrahurë juridike paraqet përbuzje të nocionit të sundimit të ligjit, për të cilin angazhohen të gjithë, duke përfshirë edhe rishtarët e pushtetit.
Shkurt e shqip: ky është vandalizëm juridik, autorë të të cilit janë gjyqtarët e Gjykatës Supreme.
Dikush duhet t’i marrë në përgjegjësi këta gjyqtarë.























