Haradinaj nderon heroin Zahir Pajaziti për nder të ditëlindjes së tij
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka vënë kurora me lule tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë me rastin e ditëlindjes së tij.
Haradinaj ka thënë se Zahiri dhe bashkëluftëtarët e tij janë shembuj të atdhedashurisë dhe vetmohimit në kërkim të lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve.
“Sot, në ditëlindjen e 57- të Zahir Pajazitit, heroit tonë që zë vend meritor në historinë e lavdishme të vendit, për të nderuar me përulje figurën e tij.
Zahiri dhe bashkëluftëtarët e tjerë janë shembuj të atdhedashurisë dhe vetëmohimit, në kërkim të lirisë dhe të drejtës së shqiptarëve. Ideali i Zahirit do të jetë gjithmonë pikëmbështetje e vizionit tonë për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se respekti ndaj veprës së luftëtarit të çmuar shqiptar, komandantit Zahir Pajaziti mbetet i pavdekshëm.
Heroi i kombit Zahir Pajaziti ka lindur më 1 nëntor 1962 në fshatin Turuçicë të Podujevës.
Ai ishte njëri ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirinmtare të Kosovës. Zahir Pajaziti u vra më 31 janar 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.























