Mustafa: Haziri nuk udhëheq negociatat LDK-VV
BKT
Lajme

Mustafa: Haziri nuk udhëheq negociatat LDK-VV

RTKlive

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa u shpreh në emisionin “Intervista me Blerimn” në RTK, se ndonjëra nga dikasteret ministrore mund të ketë më shumë se dy zëvendësministra.

Sipas tij, kur të shkrihet Ministria e Inovacionit, ajo e Zhvillimit Rajonal në Ministrinë e Ekonomisë, mund të emërohen tre ose katër zëvendësministra, sepse do të ketë më tepër punë. Duke folur për bisedimet e grupeve punuese mes LDK-së e VV-së, Mustafa paralajmëroi përfundimin e shpejtë të këtyre negociatave.

Ai vijoi më tej, duke potencuar se ka një dakordim në shumicën e pikave, ndërsa mbetet që liderët e partive ta finalizojnë marrëveshjen pasi të çertifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Besian Mustafa, që është ndër deputetët më të votuar të LDK-së dhe njëherit anëtar i kryesisë së partisë, mohoi të ketë përçarje në radhët e partisë së tij, duke mohuar lajmet se Lutfi Haziri është emëruar drejtues i negociatave me VV-në.

Ai tha se kryetari Isa Mustafa i udhëheq këto bisedime me VV-në dhe cakton grupet punuese sipas fushave të diskutimit, ndërsa nënkryetarët siç janë Lutfi Haziri, Agim Veliu apo Vjosa Osmani, mund të marrin pjesë në secilin takim. Ndër temat që mbetet ende për t’u diskutuar, është edhe krijimi i Fondit Sovran, ka pohuar më tutje Mustafa. Ai ka folur edhe për dakordimin për të forcuar drejtësinë në Kosovë.

Mustafa, djali i veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa i vrarë para 19 vjetësh në rrethana ende të pandriçuara, u shpreh se pret që Gjykata Speciale ta trajtojë këtë rast. Ai ka folur edhe për rastin e Astrit Deharit, që ka treguar se në çfarë krize është sistemi ynë i drejtësisë. Në fund, Besian Mustafa, ka thënë se nuk ka menduar ende nëse do të jetë pjesë e qeverisë së re apo do të jetë në Kuvend si deputet.


MË SHUME NGA Lajme