Ndërtohen në kohë rekord banesat e prekura nga tërmeti në Qafëzezë
Qafëzeza e Kolonjës është zona tjetër ku ashtu si në Floq të Korçës, u ngritën nga e para në një kohë rekord shtëpitë e rrënuara nga tërmeti i qershorit të këtij viti.
Përmes pamjeve filmike të publikuara në një video të postuar nga Kryeministri Edi Rama, shihet qartë puna e bërë për ndërtimin në kohë rekord të shtëpive që u prekën nga tërmetet e rëna në muajin qershor.
Kryeministri Edi Rama shprehet se edhe në “Qafëzezë të Kolonjës, ku si në Floq të Korçës, u ringritën nga gërmadhat, shtëpitë që tërmeti i qershorit i rrënoi. U premtuam që dimri do t’i gjente në shtëpitë e tyre dhe në pak minuta mund të shihni e dëgjoni nga vetë banorët se NE BËJMË ÇFARË THEMI DHE THEMI ÇFARË BËJMË. Super punë.
Mirënjohje ekipeve që punuan e po vijojnë ditë e natë, deri në shtëpinë e fundit!”
Tërmeti i qershorit 2019 në fshatin Qafëzezë, të bashkisë Kolonjë, preku 83 familje. 20 shtëpi pësuan dëmtime të rënda. 3 prej tyre u rindërtuan, 17 të tjera u rikonstruktuan dhe pjesa tjetër ka marrë dëmshpërblim në vlerë monetare.
Kryefamiljari i familjes Karafili, me lot gëzimi në sy duke hyrë në shtëpinë e rindërtuar, shprehet se, “sot erdhi dita e m’u plotësua dëshira, u bë shtëpia”.
Ndërsa zonja e familjes Islami tregon se shtëpia e rindërtuar tani është shumë e bukur. “Faleminderit edhe për gjëra më të vogla, jo më për këtë gjë kaq të madhe siç është shtëpia. Shtëpia jonë u dëmtua shumë dhe nuk e prisnim që të rindërtoheshin të gjitha, kaq e bukur dhe shumë më e mirë nga sa ishte më parë”, – thotë ajo.
Një banor i familjes Take thotë se, ky është një investim që ka kushtuar shumë.
Ndërsa një familjar i familjes Rapushi shprehet i gëzuar dhe shumë i kënaqur që tani do të kenë shtëpinë të re.
“Kryeministri Edi Rama erdhi që në fillim kur u dëmtua shtëpia jonë dhe e mbajti fjalën për rindërtimin nga e para të shtëpisë sonë”, – thotë ai. Ndërsa bashkëshortja tregon se shtëpia pësoi dëmtime në tavanet e të tri dhomave, dhe brenda një periudhe dy-trejavore, punimet e restaurimit përfunduan plotësisht duke u riparuar çdo dëmtim. “Jua kemi për falenderim të gjithëve”, – thotë ajo. Ndërsa djali i familjes Rapushi tregon se u punësua edhe vetë në punimet e shtëpisë, duke përfituar siç thotë ai edhe një rrogë, edhe shtëpinë e restauruar. “Na duket e pabesuar. Kryeministri e mbajti fjalën, bravo i qoftë! Na është gjenduar në ditë të vështira”, – thotë ai.
Ndërsa në familjen Karafili, kryefamiljari tregon punimet që e kanë kthyer shtëpinë e tij në një shtëpi të re. “Këtu punimet janë kryer të gjitha nga fillimi. Çatia, suvatë, muret dhe brenda ambienteve janë kryer të gjitha ndërtimet me cilësi dhe janë rikonstruktuar më së miri të gjitha”, – thotë ai.
Familja Tase, është një tjetër familje që për 10 ditë futet në shtëpinë e rindërtuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti.
Ndërsa në familjen Leko, më i moshuari i shtëpisë tregon se, po të kishim shkuar në kohën kur ra tërmeti, nuk do të hynim dot brenda. “Ishte çdo gjë e shkatërruar, – thotë ai. – Ndërsa sot, është rindërtuar gjithçka dhe brenda dy javëve do të hyjmë në shtëpinë e re. Shtëpia është lyer dhe restauruar si e re”. /ATSh























