Pingpong, këta janë fituesit e Top 8 për juniorë
Sot në Prishtinë u organizua turneu për juniorët më të mirë të Kosovës në pingpong, respektivisht Top 8, në të cilën 8 lojtarët më të mirë meshkuj dhe femra garuan secili me secilin për plasmanin final.
Ndeshjet janë zhvilluar në frymë sportive, me konkurrencë të madhe, ku ndeshjet më të forta ishin në xhirot e para ku lojtarët nga klubet e njëjta garuan ndërmjet vete.
Në kategorinë e meshkujve, Kreshnik Mahmuti nga KPP Lidhja e Prizrenit shënoi fitore kundër Fatih Karabaxhakut nga po e njëjta skuadër, derisa për vendin e tretë Aulon Bivolaku ishte më i përkushtuar se Blendi Hajdari.
Te femra garat ishin më të baraspeshuara, ku fituese doli Alma Mehmeti me vetëm një humbje nga Shega Hashani që zuri vendin e pestë, e cila për shkak të lëndimit nuk mundi të japë më të mirën edhe në ndeshet tjera.
Në vendin e dytë doli Bleona Mehmti me vetëm një humbje nga bashkëlojtarja Alma, teksa e treta doli Jerina Rexhepi, pasuar nga Loresa Imeri në pozitën e katërt.
Turneu ka shërbyer edhe për përcaktimin e lojtarëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Ligën Regjionale që mbahet më 23 dhe 24 nëntor.
























