Ankandi për filmin “Grease”, kostumi i “Sendit” shitet për 406 mijë dollarë
Pantallona të ngushta dhe xhaketa e lëkurës, që Olivia Newton John mbante veshur në filmin “Grease” është shitur për plot 405.700 dollarë në një ankand në Beverly Hills, më shumë se dyfishi i çmimit fillestar që ishte parashikuar, bëri të ditur shtëpia e ankandeve Julien.
Veshja, që shënjoi edhe shndërrimin e Sendit, nga një nxënëse shembullore në një vajzë seksi, në filmin e vitit 1978, u shndërrua në hit ndër vite dhe së bashkë me 500 sende të tjera, dolën në shitje nga Julien dhe paratë e grumbulluara do të shkojnë për trajtimet kundër kancerit, në një qendër në Australi.
Pantallonat e Olivias, gjatë performancës në skenën finale të filmit “You’re the OneThat I Want” në duetin me John Travoltën, janë aq të ngushta, sa Olivias, përpos fizikut elegant, iu desh ta vishnin me forcë, duke prishur zinxhirin.
Dhe kështu i shitën, tek blerës që preferuan të mbeten anonim.
“Ky ishte kostumi i dytë i Sendit, kur këndova bashkë me John këngën “You are the One that I Want”. Ky kostum ishte realizuar që në vitet 50, xhirimet e filmit tonë u realizuar në ‘77. Ishin vintage”, thotë aktorja amerikane.
Olivia i kujton me nostalgji ditët kur u xhirua “Grease”. “E mbaj mend gjatë ditën kur u vesha kështu, mbaj mend energjinë. Ishte shumë vapë. Kur ne filmuam, në Los Angelos ishte tmerrësisht vapë. Isha në siklet sepse kishte shumë diell. Por ne kërcyem shumë, kënduam, u çmendëm atë ditë. Ishte shumë bukur”.
Vetë aktorja 71 vjeçare, rrëfen se ky ankand për të kishte shumë rëndësi, pasi në 2019, kanceri i është rikthyer për herë të tretë, pas diagnostikimit për herë të parë në vitin 1992. Në ankand u mblodhën 2.4 milionë dollarë. Një poster i filmit, firmosur nga Olivia dhe John Travolta u shit për 64 mijë dollarë.
























