Analistët, mesi i dhjetorit koha optimale për institucionet e reja
BKT
Lajme

Analistët, mesi i dhjetorit koha optimale për institucionet e reja

Bardha Shkreli, Radio Kosova

Mesi i muajit dhjetor shihet si datë optimale nga analistët, kur Kosova do të ketë institucionet e reja. 

Çfarëdo ngecje në procesin për formimin e institucioneve të reja, krijon implikime në aspektin e buxhetit të shtetit. Po ashtu është e nevojshme që institucionet të formohen sa më parë , për t’í dhënë kohë qeverisë që të përgatitet për fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe në raste të tjera ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve pothuajse një muaj pas datës në të cilën ishin mbajtur ato. Kësaj radhe, certifikimi i rezultateve pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme, duke bërë që procesi të tejkalojë kohën prej një muaji.  Analisti Armend Muja thotë se duke pasur parasysh gjithë procedurat dhe afatet kushtetuese, qeveria e ardhshme do të mund të formohet në mesin e muajit dhjetor. 

“Fillimisht duhet të konstituohet parlamenti i Kosovës, që duhet të jetë në afat 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve, pastaj 15 ditë pas konstituimit të parlamentit, presidenti duhet të mandatojë kryeministrin dhe i cili do ta formojë qeverinë. Kështu që diçka midis 30 dhe 45 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ë, do të kemi edhe Qeverinë e Kosovës, që i bie se deri nga mesi i dhjetorit ne mund të jemi në proces të formësimit të institucioneve të reja”, tha ai.

Në rast se kjo periudhë zgjatet më tej, do të ketë implikime në aspetin e planifikimit buxhetor, sepse qeveria mendon se duhet të ketë reforma, kurse planifikimi buxhetor duhet të ndodhë më herët, thotë Muja. Po ashtu tejzgjatja e formimit të institucioneve, do të krijonte mungesë të likuiditetit në treg. Formimi i institucioneve të reja është i rëndësishëm edhe për vetë qeverinë, thotë Muja.

“Është e rëndësishme që Qeveria të ketë një përgatitje për procesin e rëndësishëm të dialogut. Faktori ndërkombëtar ka insistuar që të formohen sa më shpejt institucionet, në mënyrë që nga janari deri në prill ata paramendojnë të ketë proces intensiv të dialogimit me Serbinë”, tha ai.

Përveç presionit ndërkombëtar që dialogu të rinisë shpejt, palët e përfshira në dialog do të përballen edhe me presionin tjetër që mund t’ju kërkohet që të lëshojnë pe në qëndrimet e tyre, thotë analisti tjetër, Arton Demhasaj. 

 “Asnjëherë nuk mund të arrihet diçka duke u përfillur vetëm qëndrimet e njërës palë. Mund të kërkohet që në një marrëveshje të tillë të realizohet Asociacioni i Komunave Serbe e që mund të ketë kompetenca më shumë sesa është paraparë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që marrëveshja e parë e shkel frymën kushtetuese”, tha ai.

Demhasaj thotë se opsioni i dytë i kompromisit është ende edhe çështja e korrigjimi të kufirit me Serbinë , por ai pret që faktori politik në Kosovë të jetë i unifikuar dhe vendi të hyjë në këtë proces i përgatitur për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga dialogu Kosovë-Serbi. 

 


MË SHUME NGA Lajme