Tuchel: Cavani duhet të “luftoj” me Icardin për një vend në formacion
Trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel, ka thënë se sulmuesi Edison Cavani, duhet të garojë me Mauro Icardin për vendin në formacionin e parë.
Cavani dje luajti në formacionin e parë në ndeshjen ndaj Brest që nga 25 gusht, por nuk arriti të tregojë kualitetin e tij. Në minutën e 85-të u zëvendësua nga Icardi, i cili shënoi gol pas pesë minutave, gol i cili për kampionët e Francës vlen tri pikë.
Tekniku gjerman ka thënë se uruguaiani duhet të garojë me argjentinasin për të luajtur në formacionin e parë.
“Cavani ka ritmin e duhur. Duhet të mësohet me garën. Është vështirë të garosh me në sulmues që është në formë të mirë. Por nuk ka zgjidhje tjetër, pos ta pranojë situatën dhe të vazhdojë të punojë. Ndonjëherë je në një fazë kur ndihesh mirë. Mauro është në këtë fazë”, deklaroi ai.
PSG për momentin janë në vendin e parë në tabelë 30 pikë, nëntë më shumë se Angers që janë në vendin e dytë.























