“Ronaldo nuk ka dribluar ndonjë lojtar në tri vjetët e fundit”
Ish-lojtari i Juventusit, Fabio Capello ka vënë në pikëpyetje nivelin e yllit të skuadrës, Cristiano Ronaldo.
34-vjeçari u zëvendësua në minutën 55-të me Paulo Dybalan në ndeshjen ndaj AC Milanit dhe u largua nga stadiumi ende pa përfunduar ndeshja, derisa argjentinasi shënoi në minutën e 77-të, gol i cili për “Zonjën e Vjetër” vlen tri pikë.
Sipas Capellos, pesë herë fituesi i Topit të Artë ka dështuar të driblojë ndonjë lojtar në tri vjetët e fundit.
“Nuk e pëlqeva, nuk ishte mirë. Duhet të jetë kampion edhe kur largohet nga fusha. E vërteta është se Ronaldo nuk ka dribluar ndonjë kundërshtar në tri vjetët e fundit. Është kampion, por Dybala dhe Costa janë duke bërë paraqitje të mira. Të dy janë në formë të shkëlqyer dhe mund të bëjnë ndryshimin. Mund të fitojnë ndeshjen pa Ronaldon. I lumtë Sarrit, ka pasur fuqinë të largojë Ronaldon, duke e ditur se të gjithë në skuadër mund të bëjnë ndryshimin”, deklaroi ai.
Juventus vazhdon të jetë klubi i vetëm i pamposhtur në pesë ligat më të mëdha të Evropës, derisa në Serie A është lider me 32 pikë, një më shumë se Inter në vendin e dytë.























